Lajme

Arifi: Serbia fajtore për moszbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Kosova e pagoi çmimin duke acaruar raportet me aleatët

03/19/2024 15:06
nga:G B

Ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, shqetësimet e BE-së për moszbatim të saj, dialogun në Bruksel, dinarin, Asociacionin e raportet e Kosovës me SHBA-të.

Ai thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk ka sjellë asgjë dhe fajtore për këtë është Serbia, por që Kosova e ka paguar çmimin më të madh, duke acaruar raportet me ndërkombëtarët.

“Është evidente se Marrëveshja e Ohrit nuk ka sjellë asgjë, fajtore për këtë është Serbia, përfitues kryesor që nuk është realizuar asgjë është Serbia. Kosova ka paguar çmim por njëkohësisht çmimin më të madh që e ka paguar Kosova në këtë periudhë është acarimi i raporteve me bashkësinë ndërkombëtare”, shprehet ai.

Lidhur me presionin që tha Josep Borrell se do ta bëjnë mbi të dyja shtetet që të zbatohet marrëveshja, Arifi vlerëson se barra më e madhe bie mbi Kosovën dhe gjatë bisedimeve Kosova s’ka bërë kërkesë për sekuencim.

“Unë besoj se presioni do të jetë tek të dyja palët kur vjen tek implementimi i marrëveshjes, mirëpo në rast se e sheh se si është hartuar marrëveshja e Ohrit, në rast se i lexon pikat atëherë bie një barrë më e madhe për Kosovën, për fillimin e implementimit të kësaj marrëveshje, është pika 5, 7, 8, 9 që e kanë kornizuar mënyrën e implementimit të marrëveshjes. Gjatë bisedimeve nuk ka pasur Kosova kërkesë për sekuencim dhe sekuencimi nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së Ohrit, marrëveshja për sekuencim ka ardhur nga Kosova, kërkesa e Kosovës pas pajtimit me marrëveshjen e Ohrit”, thekson ai për Gazeta Blic.