Lajme

Deklaratat e O’Brien dhe Escobar, Shkodra: Nuk flasin për penalizim të Kosovës, flasin për raporte individuale me Kurtin

03/12/2024 22:50
nga:Sh R

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka thënë se deklaratat e ndihmës sekretarit të shtetit, James O’Brien dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, nuk flasin për penalizim të Kosovës, por që sipas Shkodrës ato flasin ekskluzivisht për raportet individuale të kryeministrit të vendit, Albin Kurti me administratën amerikane.

Shkodra në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, tha se në qeveritë e kaluara është manipuluar aq shumë opinion me relacionet Kosovë-ShBA saqë sipas tij, i ka humb edhe kuptimi.

“Pikë se pari duhet të ndalem te deklaratat e zotit O’ Brien edhe Escobar të dyjat nuk flasin për penalizim të Kosovës, flasin ekskluzivisht për raporte individuale të raporteve të kryeministrit Kurti me administratën amerikane. Në të kaluarën kur ka qenë një qeveri tjetër ka pas do me thënë mashtrime të opinionit madje edhe nga ambasadorët tanë që kanë qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës se kinse ShBA-të po e tërheqin kampin e tyre Bondsteel nga Kosova. Kjo ka qenë një rrenë, një mashtrim, atëherë shtrohet pyetja a ma shumë kostoja është më e madhe nëse raportet janë individuale me një individ të caktuar pavarësisht kush është kryeministër, ministër, president i vendit apo të tërhiqet kampi Bondsteel i ushtrisë amerikanë nga Kosova. Këtu është manipulu aq shumë opinioni me relacionet me Shtete e Bashkuara të Amerikës saqë ka humb edhe kuptimin “, shtoi Shkodra.

Ndryshe, O’Brien, tha se SHBA-ja “është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb” në Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se Kosova duhet të tërhiqet nga ky vendim që “e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. – ishte përgjigja e O’Brien.