Lajme

Kastrati e quan takim formal atë të Kurtit me Escobarin: Kryeministri do t’i numëroj minutat që ai të ia lirojë zyrën

03/12/2024 08:43
nga:G C

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vjen gjatë kësaj jave në Kosovë, ndërsa deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati thotë se ai vjen për koordinim rreth interesave të Kosovës.

Kastrati në një prononcim për GazetaBlic thekson se, kryeministri Kurti nuk e do koordinimin me ShBA-të, pasi sipas tij, ai ka shkatërruar çdo marrëdhënie me Amerikën.

“Escobar kërkon bashkëpunim e koordinim nga qeveria e Kosoves për interesat e Kosoves. Interesat tona mbrohen vetëm kur politika jonë e jjashtme ankorohet brenda projeksioneve e politikave strategjike të SHBA-së për rajonin. Ky nuk është rasti jonë”, tha Kastrati.

“Kurti nuk dëshiron këtë koordinim. Ai ka shkëputur çdo koordinim me SHBA . Ai i ka shkatërruar marrëdheniet me SHBA. Ka përdor gjuhë mosduruese e nençmuese ndaj zyrtareve të lartë të SHBA, përderisa kabineti i tij është i izoluar nga SHBA dhe partneret perëndimor”, shton Kastrati.

Kastrati i quan marrëveshje anti-kushtetuese, teksa shton se këtë gabim Kurti po mundohet ta eskivojë më fushatë zgjedhore.

“Kurti ka pranu një marrëveshje që del jashtë rendit kushtetues. Duke e pa këtë gabim tani ai po mundohet t’i eskivoj me fushatën zgjedhore që e ka nisur. Me këto veprime te papërgjegjshme dëmi që po i bëhet Kosovës është gati se i pariparueshëm”, tha Kastrati.

Tutje, Kastrati shton se Kosova është në rrezik të madh.

“Kurti na ka trashëguar një autonomi politiko-territorriale për serbët, po i shkatërron marrëdhëniet me SHBA dhe si pasojë fokusi për zhvillim ekononik apo punësim nuk ekziston duke e shpopullu kështu Kosovën. Në të gjitha drejtimet vetëm dëm për Kosovën. Kosova është në rrezik të madh”, tha Kastrati.

Deputeti i PDK-së thotë se gjatë takimit të kryeministrit me Escobarin, Kurti do t’i numëroj minutat që i dërguari amerikan të ia lirojë zyren.

“I vetmi karburant me të cilin lëviz Kurti këto ditë është gjuha populiste duke menduar vetëm për vota, kështu që edhe kësaj radhe Escobarin do ta takoj vetem formalisht duke numëru minutat me padurim deri sa Escobar të ia liroj zyrën”, tha Kastrati.

“Nuk është çudi që me këto sjellje të Kurtit, në javet në vazhdim Kosova mund të përballet me sanksione të reja”, tha Kastrati për GazetaBlic.