Lajme

Vendimi i Kushtetueses për rrymën në veri/ Ekonomistët: I vonuar por i drejtë – konsumatorëve t’u kthehen mjetet

03/11/2024 21:55
nga:G B

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbët në veri të Kosovës – bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në vitin 2012 – i cili sipas Kushtetueses, ka shkelur disa ligje.

Padia për anulimin e këtij vendimi dhe kompensimin e dëmit për konsumatorët ishte bërë nga Avokati i Popullit.

Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja kanë konfirmuar se vendimi i ZRrE-së ishte i kundërligjshëm dhe kanë urdhëruar kthimin e shumës së faturuar.

Lidhur me këtë vendim, ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vendimi është i vonuar por i drejtë dhe dëshmon se Kushtetuesja është gardian i shtetit dhe qytetarëve.

“Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për pagesën e energjisë elektrike në veri mendoj se është një vendim i vonuar por mjaft i qëlluar, një vendim që e dëshmon rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, e dëshmon profesionalizmin e saj sepse shumë vendime nga kjo gjykatë viteve të fundit e dëshmojnë se ajo është gardian i shtetit dhe qytetarëve të saj”, thekson ai.

Sipas tij, vendimi është i vonuar pasi qytetarët me kohë kanë alarmuar për padrejtësinë që po bëhet dhe një situatë e tillë ka ndodhur vetëm në Kosovë.

“Është një vendim i vonuar por i drejtë sepse qytetarët kanë alarmuar me kohë për padrejtësinë që po bëhet, sepse është vërtet një situatë që ka ndodhur vetëm në Kosovë, pasi është vërtet e pamundur që dikush të paguajë energjinë elektrike në një pjesë të shtetit të vet, siç ka ndodhur në Kosovë”, thotë ai.

Gërxhaliu shpreson që institucionet të obligohen për kompensim sa më të shpejtë të konsumatorëve.

“Shpresoj që e tërë kjo t’i obligojë institucionet që ta bëjnë kompensimin sa më shpejt që është e mundur dhe definitivisht të luftohet që në të ardhmen të mos ketë raste të tilla që e dëmtojnë qytetarin e Kosovës, ekonominë dhe imazhin e Kosovës dhe sjell pakënaqësi te qytetarët në masë më të gjerë”, potencon eksperti i ekonomisë për Gazeta Blic.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, thotë për Gazeta Blic se vendimi duhet përshëndetur pasi është i drejtë.

“Është vendim i drejtë dhe i ligjshëm qe duhet ta përshëndesim këtë vendim, sepse rryma është produkt strategjik dhe jetik, dhe obligim që çdo qytetar aq sa shpenzon rrymë duhet ta paguajë, ashtu si çdo produkt bazik tjetër që duhet të paguhet dhe sa e ka çmimin ashtu edhe duhet të paguhet dhe qytetarët shqiptarë nuk ia kanë borxh që t’ua paguajnë rrymën qytetarëve serbë në veri”, potencon ai.

Bellaqa thekson se institucionet duhet të shtrojnë sovranitetin ekonomik dhe juridik në veri, teksa shpreson që mjetet t’u kthehen qytetarëve.

“Në këtë rast, duhet institucionet kompetente të marrin masa adekuate që të shtrihet sovraniteti ekonomik dhe juridik dhe të sundojë ligjshmëria dhe jo të sundojnë ligji i xhunglës në atë pjesë. Por, shpresoj që të gjenden mekanizma zbatues që këto mjete t’u kthehen qytetarëve të Kosovës”, deklaron njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa./Gazeta Blic/

 

Kushtetuesja: Mbi 40 milionë euro do t’u kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri