Lajme

“Raportet me SHBA-të s’janë të irrituara vetëm për dinarin”/ Politologu: Me kërcënime ndaj Amerikës nuk del fitues

02/22/2024 14:03
nga:G B

Politologu Dritëro Arifi, në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se raporti me SHBA-të nuk janë të irrituara vetëm për çështjen e dinarit dhe kjo është një shkas për të mbuluar një problem tjetër.

“Besoj që nuk është vetëm çështja e dinarit pasi është hiperbolizuar, por është një shkas për ta kërkuar apo për ta mbuluar një problem tjetër, pra SHBA-të nuk janë të irrituara me vendimin por me mënyrën se si është marrë vendimi, kjo është krejt esenca se qeveria nuk po di se si ta shpjegojë dhe nuk ka dashur ta shpjegojë, sepse vendimet nuk merren në atë formë. Politikë bërja është një proces që fillon, debatohet, vazhdon dhe vjen një përfundim, kështu duhet të shkojë pak a shumë. Politikë bërja në Kosovë po kuptohet si një akt që sot e morëm një vendim dhe ka përfunduar gjithçka, pa e elaboruar me të gjitha palët e interesit”, thotë ai.

Sipas Arifit, SHBA ka marrë goditje dhe është ndier i befasuar lidhur me vendimin për dinarin, por që qeveria s’ka pasur normalitet as para këtij vendimit dhe tani pritet që ajo ta riparojë këtë marrëdhënie të dëmtuar, derisa SHBA qëllimin e ka te zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane.

“Kjo për SHBA-të ka qenë goditje, kur partneri yt më i mirë dhe më i besueshëm thotë që në njëfarë mënyre është ndjerë i befasuar, atëherë po na lë të kuptojmë se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur një normalitet edhe para dinarit, marrëdhënie normale me qeveritë perëndimore, në këtë rast me SHBA-të, ose nuk kanë arritur të kenë një komunikim të shëndoshë dhe po besoj se raportet veç janë dëmtuar, tash çka pritet nga Qeveria e Kosovës themi kushtimisht, për ta riparuar këtë marrëdhënie të dëmtuar është që të fokusohen seriozisht në zbatimin e marrëveshjes ose të kërkojnë nga SHBA-të një rrugëdalje jo vetëm për dinarin por qëllimi është realisht te zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane, aty është krejt problemi, aty është krejt ngecja, SHBA-të po insistojnë që të përfundojë më shpejt, ndërsa Kosova ende po heziton për shkak të shikimit të saj që e ka nga Serbia, që është prapë politikë e gabuar, sepse ne nuk guxojmë të notojmë në dinamikën serbe. Ky është një gabim që e ka bërë Qeveria Kurti që nga viti 2021”, thekson politologu.

Lidhur me atë se a mund të ketë pasoja kjo për Kosovën, ai vlerëson se varet nga qeveria se çka do të bëjë.

“Edhe mund të ketë. Kjo varet nga dinamika e Qeverisë dhe nga veprimet e tyre. Ekskluzivisht varet nga qeveria e Kosovës se çfarë qasje do të marrin, në kuptimin se çka do të zbatojnë e çka jo dhe çka janë të gatshëm”.

Arifi vlerëson se me kërcënime nuk del fitues me SHBA-të

“Mirëpo, me kërcënime me SHBA-të nuk del fitues, asnjëherë, sepse kemi dëgjuar zëra nga zëvendëskryeministri që e ka kërcënuar Bashkimin Evropian, që i bie njëjtë sikur ta kërcënojë edhe SHBA-në, sepse ata po përfaqësojnë një politikë sa i përket Kosovës dhe në këtë formë Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë që nga kufijtë e Kosovës nëse del asgjë s’mund të arrijë pa ndihmën e këtyre partnerëve”, thekson politologu për Gazeta Blic.

Ai shton se është e dhimbshme se sigurinë e brendshme s’mund ta kemi pa ndihmën e partnerëve, derisa potencon se do ta kishte kuptuar Qeverinë nëse ajo do të kishte kërkuar largimin e KFOR-it dhe le të jetë sovran në kuptim të plotë të fjalës.

“Por, çka është edhe më e dhimbshme, që sigurinë e brendshme nuk mund ta sigurojmë pa ndihmën e këtyre partnerëve. E kisha kuptuar qeverinë e Kosovës nëse kish kërkuar largimin e KFOR-it, pra në këtë sens atëherë je sovran në kuptimin e plotë të fjalës në siguri dhe politikë, por a mund ta bëjmë këtë vetë, është pyetje që duhet t’i shtrohet mandej Qeverisë”, deklaron Dritëro Arifi.

Politologu ka komentuar dhe deklaratën e kryeministrit Kurti se “jemi miq me SHBA-të por nuk pajtohemi për çdo gjë”.

Për këtë, ai thotë se nuk duhet të ketë mospajtueshmëri për tema që kanë të bëjnë me politikë të jashtme.

“Kjo pjesërisht është e vërtetë, pjesërisht jo, për fat të keq. Po duhet cituar dhe ambasadorin amerikan sepse ne mund të mos pajtohemi me SHBA-të për politika të arsimit që i bën qeveria e Kosovës, por politikat që prekin edhe efektin e jashtëm apo kanë efekt edhe rrethanor në dialog kjo ka të bëjë edhe me politikën e jashtme të SHBA-ve, të sigurisë por edhe të Kosovës dhe në këtë esencë, në këtë drejtim këtu nuk guxon të mos ketë pajtueshmëri sepse gabimet mund të jenë edhe trashanike dhe të pariparueshme nganjëherë edhe për Kosovën. Prandaj, kjo pjesërisht është e saktë por pjesërisht e gabueshme”, thotë ai./Gazeta Blic/