Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar LDK-në për qeverisjen në Komunën e Prishtinës, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një video të postuar në Facebook, ka thënë se kryetari Përparim Rama ka këmbyer 20 hektarë të tokës komunës, sikur të ishin pronë e tij private.
Bajqinovci ka thënë se kështu do të veprojë edhe me prona të tjera, derisa për lagje e fshatra të kryeqytetit s’ka asnjë projekt zhvillimor.
Ai ka shtuar se Prokuroria duhet të zbarkojë në Komunën e Prishtinës.
Me tuxharllëk ta paparë, Përparim Rama dhe brezi i Rrugës së Re kanë këmbyer 20 hektarë të tokës komunës, sikur të ishin pronat e tyre private. Ky është vetëm fillimi. Ky kryetar pritet që të zhbijë edhe pronat e tjera komunale dhe të ndërmarrjeve publike. Pra, kjo është politika e Rrugës së Re ndaj kryeqytetit. Nuk ka asnjë projekt zhvillimor për tre vite me radhë në lagjet Kodra e Trimave, Kolovica, Dodona, Taslixhe, Tophane, Mati 1 dhe shumë lagje dhe fshatra të Prishtinë. Prokuroria duhet të zbarkojë sa më shpejt në Komunën e Prishtinës. Ende asgjë nuk keni pa”, thotë ai./Gazeta Blic/


