Lajme

Limaj: Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor

01/24/2024 22:08
nga:G C

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor, prandaj edhe kanë dashur që ta bëjnë me kohë koalicionin me AAK-në.

Duke folur në emisionin “Context” në ATV, Limaj tha se a do të mbahen zgjedhjet në gjashtëmujorin e parë apo në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, i mbetet shumicës ta vendosë.

“Ne tanimë jemi në vitin zgjedhor dhe a do të mbahen zgjedhjet në gjashtëmujorin e parë apo në gjashtëmujorin e dytë, kjo tani është çështje që i mbetet shumicës ta diktojë. Por, Kosova është futur në vitin zgjedhor, ky është viti i fundit prandaj është më se normale që ky vit do të karakterizohet me dinamizim dhe aktivitete të tilla”, tha Limaj.

Ai tha se arsyeja pse koalicionin me AAK-në e kanë bërë në këtë kohë, është se sipas tij, koalicionet në ditën e fundit të zgjedhjeve, nuk ka rezultuar të suksesshme.

“Koalicionet e tilla nuk duhet të imponohen në ditën e fundit të zgjedhjeve, koha ka treguar në të kaluarën që vështirë të jenë të suksesshme dhe shumë më me rëndësi kur doni me ba një projekt, është që ta bëni me kohë për t’i dhënë mundësi dhe kohë qytetarit, elektoratit, strukturave dalë ngadalë të ambientohen dhe të njihen edhe të ketë kohë për punimin e një projekti ose programi të përbashkët”, tha Limaj.