Lajme

Meritat për blerjen e raketave “Javelin”/Gashi: Çështjet e sigurisë kombëtare të jenë jashtë betejave politike

01/16/2024 20:31
nga:Sh R

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se çështjet e sigurisë kombëtare duhet të jenë jashtë betejave politike.

Gashi në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se deklaratat për meritën e blerjeve të raketave “Javelin”, mund të jenë të dëmshme për interesat kombëtare të Kosovës.

“Çështjet e sigurisë kombëtare duhet të jenë jashtë betejave politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizime ushtarake të klasifikuara si “top sekret.” Kujdesi për reputacionin e Kosovës si partner i besueshëm në këtë fushë është thelbësor. Këto deklaratat mund të jenë të dëmshme për interesat kombëtare të Kosovës”, tha Gashi për Gazeta Blic.

Tutje ai thotë se vëmendja duhet të përqendrohet tek cilësia e qeverisjes dhe jo tek retorika e luftës.

“Cikli i porosive ushtarake kalon nëpër shumë qeveri dhe insistoj që vemendja të përqendrohet te cilësia e qeverisjes, jo retorika e luftës”, shtoi ai.

Gashi thotë se prioriteti i një qeverie të përgjegjshme është që ta sigurojë paqen dhe të parandaloj luftën dhe në rast nevoje edhe ta fitojë atë.

“Prioriteti i një qeverie të përgjegjshme është të sigurojë paqen dhe të ndërtojë aleancat dhe kapacitetet për të parandaluar, dhe në rast nevoje, fituar luftën”, përfundoi Gashi për Gazeta Blic.