Lajme

Ish-deputeti i VV’së: S’kemi pasë dialog me Serbinë, por direktiva që ata ta bëjnë Kosovën jofunksionale përmes ndërkombëtarëve

01/10/2024 16:54
nga:G C

Ish-deputeti i VV’së, Fatmir Humolli thotë se deri më sot nuk kemi pas dialog me Serbinë.

Ai në një prononcim për GazetaBlic thekson se, ka pasë direktiva nga Serbia që përmes ndërkombëtarëve ta bëjnë Kosovën jofunksionale.

Tutje shtoi se, nëse nuk këndellen institucionet e Kosovës, kjo gjendje do të vazhdojë tutje.

“Deri më tani nuk ka pasë dialog me Serbinë, por ka pasë direktiva nga Serbia përmes ndërkombëtarëve që ta bëjnë Kosovën jofunksionale”

“Kjo po shihet që do të vazhdojë derisa të këndellet politika institucionale e Kosovës”, tha Humolli për GazetaBlic.

Kujtojmë se, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se shpresojnë se viti 2024 do të sjellë energji të re në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencë për media në Bruksel, duke komentuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano tha se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për tabelat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.

Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht tabelat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari 2024 vendosjen e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në tabela kur automjetet lëviznin në territoret e njëra-tjetrës.

“Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së tabelave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për tabelat”, tha Stano.

Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.

“Ne kemi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe shumë herë ua kemi shpjeguar partnerëve tanë pse ky dokument është detyrues. Vendet anëtare, institucionet e BE-së dhe partnerët tanë, veçanërisht ShBA-ja, po monitorojnë rrjedhën e ngjarjeve. Ne e rrisim ose e ulim pjesëmarrjen në përputhje me rrethanat, por ky është një vit i ri. Viti i ri sjell gjithmonë mundësi për shpresë, punë të palodhur, energji të re. Shpresojmë që me këtë shpresë të re dhe energji të re, të dyja palët të fillojnë të punojnë shumë për të arritur përfundimisht. Sepse, ata po e bëjnë këtë për qytetarët e tyre, jo për ne në Bruksel”, tha Stano.