Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili të premten ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021.
Isufaj ka thënë se tërheqja e urdhërarrestit është bërë me miratimin e tij, por që nuk mund të tregojë arsyet se pse ka ndodhur ajo.
I njëjti është kritikuar nga ministrja Haxhiu, e cila në reagimin e saj ka thënë se drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe ajo është e pavarur vetëm në sensin ndërinstitucional.
“Jo rastësisht aktgjykimet kanë frazën ‘Në emër të popullit’, sepse sikur secili institucion shtetëror i nënshtrohet vullnetit të shprehur të popullit që i shërben dhe prej nga e merr legjitimitetin. Pra, drejtësia është e pavarur vetëm kur ajo njëmend është në përputhje me vullnetin e popullit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook raporton Gazeta Blic”
Ajo thekson se po të mos hiqej fletarrestimi, operimi i Radoiçiqit në veri të Kosovës do të ishte i pamundur.
“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë” thotë tutje Haxhiu.


