Lajme

Sanksionet ndaj Kosovës nga BE/ Demhasaj: E papranueshme, pa zbatim të vendimit të Kushtetueses, gjasa të vogla për të qenë pjesë e KE-së

12/20/2023 20:18
nga:N K

Njohësi i proceseve politik, Arton Demhasaj ka komentuar sanskionet ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, derisa tha se është e papranueshme një gjë e tillë, ku arsyeja e vendosjes së masave sipas tyre ka qenë që Qeveria e Kosovës nuk ka marrë masa për ta shtensionuar situatën në veri, raporton Gazeta Blic.

Demhasaj në një intervistë për Gazeta Blic, tha se Serbia ka qenë organizuese dhe financuese ndaj sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë dhe është e pakuptimtë që Kosova të sanskionohet vetëm për arsyen pse nuk ka marrë veprime për ta shtensionuar situatën në veri të Mitrovicës.

“Mendoj që është e papranueshme që Kosova me mbetë e sanksionuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe arsyet e vendosjes së sanksioneve kanë qenë që qeveria e Kosovës sipas tyre nuk ka marrë masa për me shtensionu situatën në veri. Në anën tjetër kemi parë që sulmin terrorist të 24 shtatorit ishte qeveria e Serbisë ajo e cila e ka mbështetur dhe e ka financuar dhe e ka organizuar atë sulm dhe në anën tjetër nuk kemi parë që Bashkimi Evropian ka marrë masa ndaj Serbisë, është e pakuptimtë me marrë masa ndaj Kosovës pse nuk ka marrë veprime për ta shtensionuar situatën, e anën tjetër mos të marrë veprime ndaj Serbisë e cila është mbështetësja apo organizatorja e sulmeve terroriste në veri të Kosovës”, tha ai.

Ai transmetoi se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që masat ndaj Kosovës largohen atëherë kur të organizohen zgjedhjet në veri, kur të tërhiqen njësitë policore dhe tashmë kushti i fundit që është themelimi i Asociacionit në komuna me shumicë serbe.

“Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që sanksionet e Kosovës do të hiqen vetëm atëherë kur organizohen zgjedhjet në veri, tërhiqen njësitë policore nga veriu, por njëkohësisht tashmë i është shtuar edhe një kërkesë tjetër, pra që është themelimi i Asociacionit komuna me shumicë serbe”.

Tutje ai deklaroi se synimi kryesor i Këshillit të Evropës është që Kosova ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit.

“Janë edhe disa kushte të tjera që Këshilli i Evropës veç i ka vendosur ndaj Kosovës, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës kjo ka të bëjë sidomos me sundim të ligjit apo me respketim të vendimeve gjyqësore, e kur them me respektim të vendimeve gjyqësore, synimi kryesor i Këshillit të Evropës është që Kosova me zbatu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit”, u shpreh Demhasaj.

Njohësi i porceseve politike i tha Gazeta Blic se gjasat janë minimale që Kosova të arrijë të bëhet pjesë e Këshillit Evropian, pa u zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Në njëfarë mënyre është bërë e qartë që pa u zbatuar ai vendim, gjasat janë minimale që Kosova të arrijë edhe të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, përfundoi Demhasaj.