Lajme

21 vjet burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë ndaj katër të akuzuarve për vrasjen në Ferizaj, njëri lirohet nga akuza

12/11/2023 15:43
nga:N K

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia dhe Rinor Jashari, duke i dënuar me 21 vjet burgm dhe 5 mijë e 500 euro gjobë (së bashku), për vrasjen e B.Q., në shtator të 2020-ës në Ferizaj.

Ndërsa, i akuzuari Mërgim Atanasova u lirua nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit ndaj pesë të akuzuarve, është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Muhaxheri për veprën penale “Vrasje” është dënuar me 16 vite burgim.

Të akuzuarit Balia dhe Bajralia për veprën penale në bashkëkryerje “Pjesëmarrja në rrahje”, secili veç e veç janë dënuar me nga 2 vite e gjashtë muaj burgim.

I akuzuarin Jashari, për veprën penale “Kanosja” është dënuar me gjobë prej 5 mijë e 500 euro, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, për shkak se nuk është provuar se ka kryer këtë vepër.

Kurse, i akuzuari Atanasova, për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, është liruar nga akuza pasi që nuk është provuar se ka kryer këtë vepër penale.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridik.

Gjyqtari Bytyqi ka njoftuar se të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Ndërsa, në dënimin me burgim, do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, më 7 korrik 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova, duke i dënuar me 22 vite e 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë për vrasje të rëndë në Ferizaj.

Ndërsa, më 14 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit ka kthyer çështjen në rigjykim rastin ku pesë të akuzuarit Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.