Ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, ka folur për takimin e ardhshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet këtë javë.
Ai ka folur edhe për raportimet se Kurti e ka pranuar themelimin e Asociacionit në fillim të muajit nëntor dhe mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve.
Arifi thotë se është e pabesueshme që Qeveria të jetë kaq jo transparente për dialogun.
“Është e pabesueshme se sa jo transparente është Qeveria e Kosovës në çështjet që janë jetike për popullin e Kosovës e që nuk janë çështje e askujt që ka një mandat qeveritar por e çdo qytetari të Kosovës”, thotë ai.
Sipas tij, Kurtit i takon t’i tregojë popullit se çfarë ka ndodhur në takimin me pesëshen, për të cilin takim nuk pati detaje.
“Askush nuk e di se çfarë ka ndodhë në takim e pesëshes. Ndonëse nga qarqet jo zyrtare flitet se Albini ka pranuar Asociacionin, qarqet e VV flasin se kemi të bëjmë me premtim të rrejshëm të radhës. I takon Kryeministrit që t’i tregojë qytetarëve të Kosovës se çfarë ka ndodhë”, vlerëson Arifi për Gazeta Blic.
Ai shton se varësisht nga ajo që ndodhë në takim, mund të flasim për arsyeshmërinë e takimit të Brukselit.
“Në varësi të asaj se çka ka ndodhë në takim, mundemi edhe të flasim për arsyeshmërinë e takimit të Brukselit. Përndryshe, tani për tani kemi sjellje feudale ku e drejta për Kosovën është tjetërsuar dhe privatizuar”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/
“Nuk është çudi pranimi i Asociacionit”/ Krasniqi tregon synimin e BE-së me takimin Kurti-Vuçiq


