Lajme

VV reagon ndaj BE-së: E pakuptimtë dhe joserioze, Serbia të mos ledhatohet – thirrja e fundit që t’i dorëzojë terroristët

10/09/2023 20:27
nga:G B

Bashkimi Evropian ka kërkuar bashkëpunim pa kushte dhe të plotë të Serbisë për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Dy javë pas këtij sulmi, BE ende nuk ka vendosur masa ndaj Serbisë, derisa ka thënë se masa do të ketë pasi të përfundojë hetimi për sulmin.

BE po ashtu ka bërë thirrje që palët të kthehen në dialog.

Lidhur me këto deklarata, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se serioziteti i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor do të vlerësohet me hapat ndaj Serbisë pasi këtij sulmi.

“Serioziteti i qasjes së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, paqes dhe vlerave evropiane në veçanti do të vlerësohet me hapat e BE-së ndaj Serbisë si shtet që sponsorizon terrorizmin dhe si vatër e destabilitetit të shteteve fqinje. Presim hapa konkret të ndjekur nga sanksione politike, ekonomike dhe ushtarake”, thotë ai.

Deputeti thekson se është e pakuptimtë dhe joserioze, që ende s’ka vendim nga BE.

“E kuptojmë që procedurat brenda BE-së për të marrë vendime të tilla marrin kohë, por çdo procedurë që kalon 30 ditëshin është e pakuptimtë dhe joserioze. Gjërat janë të qarta, faktet janë sheshazi dhe deklaratat publike të Vuçiqit vetëm sa e konfirmojnë dijeninë, përgatitjen dhe mbështetjen për këtë sulm”, shprehet Batusha.

Ai shton se pjesëmarrësit, udhëheqësit e grupit dhe organizatorët duhet të ekstradohen sa më parë në Kosovë për tu ballafaquar me akuzat dhe për të marrë dënimin e merituar dhe Serbia duhet t’i dorëzojë ata.

“Pjesëmarrësit, udhëheqësit e grupit dhe organizatorët e sulmit duhet të ekstradohem një orë e më parë në Republikën e Kosovës për tu ballafaquar me akuzat dhe për të marrë dënimin e merituar. Zaten kështu duhet të veprojnë shtetet demokratike dhe aq më tepër shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Andaj, Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët. Në të kundërtën duhet të ballafaqohet me pasojat diplomatike, politike dhe ekonomike”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Deputeti i VV-së, krejt në fund thotë se ngjarja në Bansjkë “është thirrja e fundit dhe më kumbuesja që Serbia të mos ledhatohet, por t’i bëhet e qartë që kjo sjellje agresive, destabilizuese dhe joevropiane do të ndëshkohet”./Gazeta Blic/