Lajme

Preteni: Serbia ia siguroi tërheqjen grupit terrorist, shteti ynë s’veproi asnjëherë më fuqishëm

09/26/2023 18:40
nga:Sh R

Ish-drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Hasan Preteni, ka folur për situatën e 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

Sipas Pretenit, tek vlerësimi i veprës, që është “terrorizëm”, sipas tij, në kuptimin ushtarak kjo është bash terrorizëm, pasi siç tha ai, në nocionin e termit “terrorizëm”, nënkuptohet atëherë kur një grup i njerëzve në mënyrë të organizuar hyn në një vend tjetër për t’i sulmuar institucionet e atij vendit.

“Ne e pamë një veprim që është karakteristikë ndër vite e fqinjit tonë verior se ata veprojnë në trekëndëshin e famshëm, politikën, kishën dhe terroristët”.

“Kjo do të ishte e pamundur që një grup, pa logjistikë, pa ia siguruar vendin ku do të qëndrojnë, pa përkrahjen dhe financimin e politikës kjo do të ishte e pamundur të ndodhë”, tha Preteni në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se në mënyrë të veçantë, mbrapa grupit terrorist qëndron Serbia, pasi sipas tij, shteti serb ua siguroi atyre edhe tërheqjen nga Banjska.

“Në mënyrë të veçantë, mbrapa është Serbia, sepse ajo e siguroi logjistikën, ajo e siguroi bazën, ajo e siguroi tërheqjen dhe atje po trajtohen të plagosurit”.

“Nga viti 2008 nuk ka qenë asnjë veprim më i fuqishëm, ma i koordinuar dhe më i suksesshëm se në këtë rast”, tha ai.