Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një prononcim për Gazeta Blic ka folur lidhur me deklaratat e fundit të ambasadorit në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, për dialogun Kosovë-Serbi, i cili tha se kanë besim të plotë te ndërmjetësit e Bashkimit Evropian në dialog.
Sipas Halitit SHBA-të janë duke u angazhuar për miqësi me popujt e Ballkanit Perëndimor, duke përfshi Kosovën e Serbinë, ku marrëdhëniet tona të tashme janë pengesë për të filluar integrimin e rajonit tonë në BE dhe NATO.
“Për këtë arësye po insistojnë me çdo kusht që të bëjmë përpjekje për tejkalimin e raporteve të kqija në mes të Kosovës e Serbisë. ShBA dhe BE janë aleatë super të besueshëm dhe baskëpunues në të gjitha fushat”, ka thënë Haliti.
“Amerika në Kosovë është Shkelqësia e tij, Ambasadori fuqiplotë i SHBA në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Po e them këtë për faktin që në vazhdimësi lexoj qëndrime jo zyrtare të personave të caktuar të cilët flasin në emër të Amerikes, e besa edhe të institucioneve amerikane dhe ata më shumë se kamarier e pjatalarës nuk kanë qenë kurrë. Ne s’mund ta ndryshojmë strategjinë dhe politikat amerikane për Ballkanin”, ka thënë tutje ai.
Haliti theksoi se Kosova domosdoshmërisht duhet të jetë e angazhuar për bashkëpunim e bashkëveprim pa kushte.
Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësit të negociatave, Miroslav Lajçak, ka reaguar edhe ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ku thotë se deklaratat e Kurtit janë të pa matura dhe të pa bazuara.
Mustafa, në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se deklaratat e Kurtit janë të pamatuara, pasi që Lajçak i propozon qëndrimet në vijë me Borrell, atje ku ai thotë nuk besoj që ata ia mbajnë anën Serbisë, por nëse ia mbajnë atëherë vaj halli për Kosovën.
“Deklaratat e z Kurti, parasëgjithash janë të pamatura. Janë edhe të pabazuara, sepse është shumë e qartë se z. Lajçak prezanton qëndrimet në vijë me z. Borell, vendet e BE-së dhe SHBA-të. Nëse të gjithë ata ia mbajnë anën Serbisë, e që mendoj se nuk ia mbajnë, atëherë vaj halli për Kosovën”, tha Mustafa.
Tutje Mustafa tha se Kurti do duhej që të ishte më i kujdesshëm më deklaratat e tij, sepse kjo nuk është një fushatë e brendshme as arenë e gazit lotësjellës, pasi që akuzat e kryeministrit Kurti po marrin përmasa të mospajtimit me aletatët jo me një personalitet.
“Kurti do duhej të ishte i kujdesshëm në deklaratat e tij, sepse nuk është kjo fushatë e brendshme as arenë e gazit lotësjellës. Në këtë rast akuzat e kryeministrit të Kosovës marrin përmasa të mospajtimit me aleatët jo me një personalitet”, shtoi ai.
Ai thotë se dialogu e ka humbur rrugën, pasi zbatimi i sanksioneve e ka shëndrruar dialogun në kushtëzim, ku tani Kosova nuk pyetet sepse lidershipi e ka humbur besimin të ndërkombëtarët.
“Për mendimin tim, dialogu e ka humbur rrugën. Zbatimi i sanksioneve e ka shndërruar dialogun në kushtëzim. Tani Kosova nuk pyetet, sepse lidershipi e ka humbur besimi te ndërkombëtarët. Kosovës tani i vehen kushte; nuk operohet me shkopin dhe karrotën, por vetëm me shkopin”, tha Mustafa për Gazeta Blic.
Ndryshe, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë, ka theksuar se SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut.
“SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.
Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.
Kurti tha se gjatë rundit të fundit të dialogut – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.


