Kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandër Jabllanoviq thotë se udhëzimi administrativ u bë për të blerë kohë shtesë, por jo sipas tij, për të zgjidhur problemin.
Jabllanoviq në një prononcim për GazetaBlic thotë se, e vetmja masë që duhet të ndërmerret tani ëdhtë dorëheqja e kryetarëve.
“Udhëzimi administrativ për shkarkimin e kryetarit është një tjetër në vargun e masave të Qeverisë së Kosovës, që e zgjat situatën konfliktuale në veri. Kjo masë nuk është marrë për të zgjidhur problemin, por për të blerë kohë shtesë. E vetmja masë adekuate është dorëheqja e “kryetarëve””, thotë ai.
Sipas Jabllanoviqit as peticioni dhe as dorëheqja e kryetarëve nuk do të bëjë që serbët në veri të marrin pjesë në zgjedhje.
Jabllanoviq thotë se, serbët ndryshojnë mendjen vetëm kur bëhet tërheqja e njësisë speciale nga kjo pjesë e vendit.
“Mendoj se as peticion dhe as në fund të fundit dorëheqjet nuk do ta zgjidhin problemin e mosparaqitjes së serbëve në zgjedhje. Dorëheqjet i hapin rrugë zgjedhjeve, por vetëm me tërheqjen e njësisë speciale të PK-së, hapet hapësira për pjesëmarrje të madhe të serbëve për zgjedhje të përsëritura”, shtoi ai.
Jabllanoviq thotë se, serbët janë të pakënaqur me praninë e tepruar dhe të panevojshme të një numri të madh policësh dhe veprimet e tyre, të cilat sipas tij, shpeshherë janë brutale dhe joprofesionale.
“Një udhëzim administrativ mund të jetë një masë që do të ishte e zbatueshme në rrethana të ndryshme, por në veri kemi krizë politike dhe sigurie, jo një situatë ku qytetarët janë të pakënaqur me kryetarët. Serbët janë të pakënaqur me praninë e tepruar dhe të panevojshme të një numri të madh policësh dhe veprimet e tyre, të cilat shpeshherë janë brutale dhe joprofesionale”, thotë Jabllanoviq.
“Të gjithë jemi të brengosur edhe për tentativat për marrjen e pronave në pronësi të Serbisë, dhe në këto momente serbët më së paku mendojnë për zgjedhjet dhe veçanërisht nuk shoh se një peticion do të ishte fare i realizueshëm”, përfundoi Jabllanoviq për GazetaBlic.
Haliti për udhëzimin administrativ: Ja çfarë rreziku po e pret Kosovën


