Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se për situatën e krijuar në veri të Kosovës nuk është fajtoru vetëm Serbia, por sipas tij edhe papjekuria e Qeverisë Kurti.
Haliti në një prononcim për GazetaBlic thekson se, Qeveria e Kosovës është futur në avanturë politike edhe pse kishte paralajmërime të mos bënte një gjë të tillë.
“Unë nuk i pëlqejë politikanët që s’kanë guxim të marrin vendime, kur kanë kompetenca ligjore e Kushtetuese. Situata në veri është krijuar nga papërgjegjshmëria e presidentit të Serbisë, e kurthat e zbatuara nga shërbimet Sekrete të Serbisë, por edhe nga papjekuria politike e Qeverisë së Kosovës që edhe pse ka qenë e paralajmëruar, u fut në avanturë politike dhe pasojat janë ngjarjet e ndodhura në veri e deri te sanksionet e vëna nga BE”, thotë Haliti.
Haliti shton se edhe pas kësaj situate, nuk dihet sigurt nëse serbët do të nënshkruajnë një peticion të tillë.
Haliti thekson se Kosova po penalizohet me këtë udhëzim administrativ, teksa paralajmëron se një praktikë të tillë partia në pushtet do të përpiqet ta instalojë edhe në komunat ku i ka humbur zgjedhjet.
“Tani po më duket që organizimi i nënshkrimit të peticionit është edhe një hap tjeter që do ta penalizojë Kosovën, sepse akoma nuk dihet se a do ta nënshkruajnë një peticion të tille qytetarët serb në veri”, tha Haliti.
“Unë mendoj që Qeveria duhet të bisedoj me përfaqësuesit e qytetarëve me qëllim që zgjedhjet të jenë gjithpërfshirëse dhe të pranueshme nga të gjitha palët. Lidhur me “peticionin” si praktikë shoh edhe një rrezik tjetër, që një praktikë e tillë të përpiqen ta instalojnë edhe në komunat tjera ku VV i ka humbur zgjedhjet”, tha Haliti për GazetaBlic.


