Gjatë dy ditëve të fundit të shumica e akterëve dhe përkrahësve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me lehtësi të padurueshme kanë përjetuar lumturi. Kjo pasi, kryeministri, Albin Kurti, si një orator “ia hodhi” kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, nëse Kosova është e pavarur apo jo dhe se kush është kandidat më i mirë për në Bashkimin Evropian.
Përveç kësaj edhe një artikull me pagesë i medias britanike “The Economist” bëri që të “çohet në qiell puna e Qeverisë” nga deputetët e akterët e VV-së.
Por, për anëtarin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajazitin, “a ka me keq se kjo” të lavdërohen me një fjalim dhe me një artikull të paguar.
“…a ka më keq, duhet të lavdërohen me një fjalim e më një artikull të një gazetë që është i sponsorizuar nga Oda Ekonomike. E që nuk është keq, ne duhet t’i nxjerrim në pah gjithçka çka është mirë në këtë vend. Por, zhvillimi i biznesit dhe kompanitë private që u pasqyrua nga një artikull i sponsorizuar e që është mirë, duhet të bëhen më shumë artikuj të tillë, përkundrazi, qeveria ka një varg temash konfliktuoze me biznese dhe me media”, ka thënë Pajaziti.
Gjithashtu, Pajaziti ka komentuar deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, se “Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi”.
Sipas Pajazitit, deklarata e Macronit nuk duhet nënvlerësuar dhe duhet marrë me shqetësim nga Qeveria e Kosovës, pasi e gjithë përgjegjësia bie mbi ta.
Më tej, ai ka theksuar se nëse bëhet pezullimi i liberalizimi të vizave do të ishte një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës në 15 vjetët e fundit.
“Kjo nuk është për tu nënvlerësuar pasi vjen një nga liderët kryesor të vendeve të BE-së dhe po vjen në një moment kritik. Nëse kjo do të ndodhe do të ishte një padrejtësi e madhe që do ti bëhet qytetarëve të Kosovës. Nëse kjo do të ndodhë na fakt do të ishte do të ishte padrejtësia më e madhe që po i ndodhë vendit në këtë periudhën pas shpalljes pavarësisë. A duhet të shqetësohemi, më shumë se të gjithë ne duhet të shqetësohet qeveria, sepse ka përgjegjësinë e plotë për tu marrë me këtë çështje, sa takon detyrave dhe përgjegjësive tona me BE-së… duhet të shqetësohemi sepse po e thotë njëri prej liderëve kryesor të BE-së”, ka thënë Pajaziti.


