Besnik Tahiri nga AAK-ja ka reaguar në lidhje me sulmet e ministrave të Qeverisë Kurti drejt Prokurorisë Speciale, ku thotë se kanë për qëllim frikësimin dhe shantazhin e prokurorëve, raporton GazetaBlic.
Tahiri përmes një shkrimi në “Facebook” thekson se, qëllimi i ministrave nuk është denoncimi i ndonjë akti penal, por sipas tij krijimi i argumenteve fiktive, me të cilat do të sulmohej Prokuroria, pikërisht në kohën kur zyrtarët e këtij pushteti do të ndiqeshin për vepra korruptive.
“Ditëve të fundit pushteti autoritar ka shpërfaqur një fushatë linçuese kundër sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë ndaj sistemit prokurorial të Kosovës, që për qëllim ka frikësimin dhe shantazhin e prokurorëve, të cilët në baza ditore po e luftojnë korrupsionin”, shkruan Tahiri.
“Shihet shumë qartë se qëllimi i pushtetit nuk është denoncimi i ndonjë akti penal, por krijimi i argumenteve fiktive, me të cilat do të sulmohej Prokuroria, pikërisht në kohën kur zyrtarët e këtij pushteti do të ndiqeshin për vepra korruptive. Dhe, pikërisht tani po ndodh ky fenomen, ku me qëllim të dëmtimit të integritetit të prokurorëve dhe humbjes së besimit ndaj sitemit prokurorial, eksponentë të Qeverisë po dalin me video linçuese, se kinese Prokuroria është e njëanshme, ku si argument po përdorin pikërisht kallëzimet penale të cilat i kishin parashtruar më herët dhe të cilat nuk përmbushnin kriteret ligjore për t’u trajtuar”, shtoi tutje.
Tahiri thotë se shantazhet nuk kalojnë, teksa fton sistemin prokurorial të Kosovës, që të vazhdojë punën e tyre të pakompromis në luftimin e krimit dhe korrupsionit
“Unë e ftoj sistemin prokurorial të Kosovës, që të vazhdojë punën e tyre të pakompromis në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ashtu siç e kërkojnë ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Shantazhet nuk kalojnë!”, përfundon Tahiri.


