Ish- kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një përgjigje për Gazeta Blic ka komentuar deklaratat e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha të premten se për zgjedhjet në veri duhet një ‘rivotim’ dhe se as që bëhet fjalë për referendum.
Daka, ka thënë se askund, në cilindo ligj të Kosovës nuk thuhet dhe as nuk i jepet e drejtë presidentes së Kosovës për këtë ‘gjetje’ si rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës.
“Rivotim nuk përmendet askund në ligjin për qeverisje lokale, rivotimin e bënë vetëm KQZ-ja dhe atë në një pjesë të procesit zgjedhor dhe kur në qoftë se evidentohen parregullsitë, urdhërohet që të bëhet rivotim në një komunë, qendër votimi apo në një vend votim dhe pastaj pas rivotimit rrjedhin procedurat tjera”, ka thënë Daka.
Ajo ka thënë se ka vetëm një mënyrë për largimin e katër kryetareve të komunave në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ka cituar ligjin për vetëqeverisje lokale nenin 72, ku thuhet se në paragrafin e parë se qytetarët mund të organizojnë një peticion (20 përqind e votuesve të regjistruar), të dorëzojnë kërkesën te kryesuesi komuna dhe më pas ai në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Daka ka komentuar edhe udhëzimin administrativ dhe grupin punës që ka nisur Ministria e Pushtetit lokal për çështjen e zgjedhjeve në Veri.
“Pra, udhëzimi mund të rregullojë vetëm këtë procedurë, mënyrën se si mblidhen nënshkrimet, dhe jo zëvendësimin”, ka thënë Valdete Daka.


