Hulumtuesi i lartë nga KDI, Eugen Cakolli, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për deklaratën e zv/kryeministrit Besnik Bislimi, se nuk duhet shpallur zgjedhjet në veri, pa i hequr BE masat e marra ndaj Kosovës.
Ai thotë se mundësitë për largimin e kryetarëve nga komunat veriore janë të drejta dhe nuk mund të pengohet as kushtëzohet nga zhvillimet politike e as raportet me BE-në.
“Çështja e largimit të kryetarëve të komunave veriore përmes mundësisë që ofron ligji për vetëqeverisjen lokale është një e drejtë dhe formë e demokracisë së drejtpërdrejtë qytetarë dhe në këtë drejtim nuk ekziston ndonjë mundësi që kjo të pengohet ose të kushtëzohet nga zhvillimet që ndërlidhen, qoftë me raportet tona me BE-në, apo çfarëdo zhvillimi tjetër politik. Pra, kjo është një e drejtë e qytetarëve të secilës komunë në Kosovë, por që duhet të materializohet përmes rregulloreve të reja që duhet t’i miratojë KQZ-ja, mbi procedurat, afatet, modalitetet tjera sa i përket organizimit të procesit si të tillë”, thotë ai.
Sipas Cakollit, asgjë dhe askush s’mund t’ua mohojë qytetarëve të asnjë komune që t’i nisin procedurat e të zhvillohen zgjedhjet.
“Pra, asgjë e askush s’mund t’ua mohojë qytetarëve të komunave veriore dhe çdo komune tjetër në Kosovë, që të mbledh 20 për qind të nënshkrimeve dhe të njëjtat t’i parashtrojë kryesuesit të kuvendit të Komunës, i cili të njëjtat do t’i përcjellë në KQZ dhe që KQZ pastaj do të nis procedurat e verifikimit të nënshkrimeve dhe organizimit të procesit të votimit”, shton ai për Gazeta Blic.
Ai thotë se kushtëzimi nuk është produktiv dhe nuk sjell risi, pasi nuk është e nevojshme të përfshihet niveli qendror kur ka vullnet nga qytetarët e komunave veriore.
“Unë besoj që kushtëzimi i BE-së përveç që është kundër produktiv dhe nuk sjell ndonjë risi, pra nuk është që mund ta kushtëzojmë, sepse po të ketë vullnet dhe interes nga komunitetit dhe banorët e atjeshëm, një iniciativë e tillë bëhet edhe pa përfshirjen fare të pjesës politike të nivelit qendror”, potencon Cakolli.
Ai e sheh si negativ deklaratën e Bislimit, si një mesazh që Kosova s’ka gatishmëri për të respektuar ato për të cilat është zotuar.
“Në anën tjetër, është me ndikim negativ për shkak se përçon një mesazh që Kosova nuk ka gatishmëri për të respektuar ato për të cilat është zotuar dhe besoj se kjo ka të bëjë edhe me mënyrën se si është negociuar teksti i nënshkruar në Bratislavë, pra Kosova ka marrë zotim që deri në fund të verës do të organizojë proces të votimit, prandaj duhet që të respektohet i njëjti, për sa kohë që ka gatishmëri dhe vullnet edhe nga kryeministri por edhe nga qeveria që Kosova qëndron pas këtyre dakordimeve të arritura në kuadër të këtij procesi”, deklaron Eugen Cakolli nga KDI./Gazeta Blic/


