Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociatori i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk duhet shpallur zgjedhjet në katër komunat veriore, pa u hequr masat e vendosura ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Ndërsa, BE sot deklaroi se Kosova duhet t’i përmbushë zotimet e saj për deeskalim të situatës në veri.
Lidhur me deklaratën e Bislimit, ish ambasadori Avni Arifi, njëherësh ish kryenegociatori i dialogut, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se shpesh krerët e shtetit harrojnë se çka përfaqësojnë dhe flasin si zyrtarë të ndonjë fuqie apo si analistë.
“Krerët e institucioneve të Kosovës shpeshherë e në këtë rast Zv.KM kur flasin harrojnë çka dhe kë përfaqësojnë dhe herë flasin si zyrtarë të ndonjë superfuqie e herë si analistë të ndonjë OJQ-je antiglobaliste”, thekson ai.
Sipas Arifit, qëndrimit të Bislimit nuk i beson as vetë ai, por që jemi në epokën e mashtrimit, ku qeveria tenton ta mashtrojë qytetarin, partnerët e tani edhe veten.
“Qëndrimit të ZVKM nuk i beson askush bile as vet ZVKM por jemi në epokën e mashtrimit dhe me mashtrime synohet të ecet përpara aq sa ecet. Mashtrues me qytetarin mashtrues me partnerët e tash edhe me vetveten”, vlerëson Avni Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, thekson se deeskalimi i gjendjes në veri kërkohet të ndërlidhet me marrëveshjet e arritura dhe masat duhet të hiqen nga BE krahas përmbushjes së hapave për deeskalim.
“Masat e vendosura ndaj Kosovës kërkohen të hiqen. Heqja e sanksioneve ndaj Kosovës shkon barazi me përmbushjen e tri pikave të paraqitura nga BE dhe të përkrahura nga SHBA-të. Përmbushja e tri kërkesave të BE-së nga Kosova janë kusht për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Republikës. Kështu qëndron në kërkesat e paraqitura. Tash çka është para e çka prapa dihet. Mirëpo, zgjedhjet në veri, pa qartësi të luftës kundër krimit të organizuar serbomadh dhe vullnetit të pjesëmarrjes në zgjedhje nuk ka. Pra, kërkohen masa konkrete. Këto jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shteti serb”, thotë ai për Gazeta Blic.
Profesori potencon se Kosova duhet të veprojë sipas Marrëveshjes së Ohrit, teksa shton se kërkohet edhe Serbia të veprojë, e cila duhet të garantojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri.
“Kosova duhet të veprojë kundruall Marrëveshjes së Bratisllavës dhe mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneks marrëveshjes së Ohrit. Këtu qëndron baza e zgjidhjes së çështjes me Serbinë. Në këtë anë, kërkohet të veprojë edhe Serbia. Madje shumë më shumë. Serbia kërkohet t’i kapë kriminelët e sjellë në veri të Kosovës dhe të garantojë pjesëmarrjen në zgjedhje të minoritetit serb, pa veprime eskaluese, sulmeve terroriste dhe bllokimeve të rrugëve e shesheve në veri të Kosovës. Të dy shtetet duhet së bashku për të vepruar në deeskalim. Këtu është çelësi i problemit”, vlerëson Kelmendi.
Ai thotë se masat duhet të lidhen edhe me Serbinë, që zgjedhjet në veri të kenë sukses, në të kundërtën nuk ka deeskalim të situatës atje.
“Pra, masat kërkohet të ndërlidhen edhe me Serbinë, në mënyrë që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahem dhe të kenë sukses. Në të kundërtën, sukses nuk ka në deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, kuptohet vetëm me ndëshkimin e Kosovës. Pa e ndëshkuar dhe detyruar shtetin serb me masa konkrete imponuese, paqja në këtë rajon të Ballkanit nuk arrihet. Beogradi është shkaktar i gjendjes”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/


