Drejtori sportiv i FC Europa, Sead Parody pret që skuadra e tyre të kalojë tutje në raundin e dytë kualifikues të Conference League.
Skuadra e Dukagjinit nga Klina nesër luan ndeshjen e kthimit ndaj ekipit nga Gjilbratari, FC Europa. Kjo ndeshje luhet në Gjilbratar me fillim nga ora 17:00, teksa ndeshja e zhvilluar gjashtë ditë më parë në kryeqytetin e Kosovës përfundoi me fitoren minimale të Dukagjinit me rezultatin 2-1, me golat e realizuar nga Shabani dhe Zulfiji.
Parody thotë se ndeshja e nesërme nuk do të jetë e lehtë – pasi Dukagjini është i uritur për sukses në paraqitjen e tyre të parë në garat evropiane.
“Po, kemi një ndeshje të dytë të vështirë kundër një kundërshtari të uritur, sepse luajnë për herë të parë në kualifikimet e Ligës së Konferencës”, tha fillimisht drejtori sportiv i FC Europas, Sead Parody për ‘GazetaBlic Sport’.
Megjithatë, drejtori sportiv i klubit të FC Europa pret që skuadra e tyre të kalojë tutje.
“Ekipi ynë ka punuar shumë për të përforcuar pozitat që ne menduam se duhej të punonim për ndeshjen tonë në shtëpi. Unë pres që ne të marrim një fitore nesër”, përfundoi Parody.
/GazetaBlic Sport


