Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi thotë se me masat ndëshkuese nga BE-ja, Kosova u pezullua në takimin e niveleve të larta.
Bytyqi në një prononcim për GazetaBlic tha se një gjë e tillë ishte e pritshme, pasi sipas saj, kryeministri Kurti nuk ka marrë asnjë hap për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
“Tashmë masat ndaj Kosovës janë ndërmarrë ashtu edhe siç është thënë dhe kjo është një e keqe e madhe për vendin tonë. Mund ta quajmë një izolim që tashmë ka ndodh përmes sanksioneve ku Kosova nuk përfiton pra është përjashtuar nga fondet e BE-së por edhe pezullimin e takimeve të niveleve të larta. Pra është pritur që kjo do të ndodh pasi kryeministri Kurti nuk ka ndërmarrë asgjë për shtensionim të situatës por përkundrazi veç e ka thelluar atë”, tha Bytyqi.
Sipas Bytyqit, kryeministri Kurti po shkatërron krejt çka është ndërtuar me vite në Kosovë.
“Ky ndëshkim është imazhi me i keq për ne, pra kryeministri Kurti krejt çka është ndërtuar po e shkatërron me një vetëkënaqësi të paparë. Kjo është e frikshme. Shpresoj që të ndërrojë kjo situatë e sa më shpejtë t’i kthehemi gjendjes normale me një kryeministër normal”, tha Bytyqi për GazetaBlic.


