Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se SHBA-ja e përkrah planin trepikësh të BE-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Këtë ia ka bërë të ditur mbrëmë në bisedat telefonike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Kam folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti për të kërkuar shtensionimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Ndërsa, Vuçiqit ai i ka thënë se ka mirëpritur lirimin e tre policëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë.
Plani trepikësh i BE-së parasheh shtensionimin e situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimin në dialog të Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë, se a duhet të merret parasysh kjo kërkesë nga Kurti, ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’ka rrugë tjetër përveç dialogut dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
“Rrugë tjetër përveç dialogut dhe zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneks Marrëveshjes së Ohrit nuk ka. Realizimi i trepikëshit BE-SHBA është pikënisje e de-eskalimit të situatës dhe kthim në binarët normal të dialogut”, thotë ai.
Sipas Rugovës, do të jetë më mirë për Kosovën që Kurti ta kuptojë sa më shpejt seriozitetin e kërkesave të SHBA-ve dhe BE-së, ndryshe do të paguajmë çmim të lartë.
“Sa më parë që Kryeministri i vendit tonë e kupton këtë seriozitet të kërkesave nga SHBA dhe BE do të jetë më mirë për Kosovën, në të kundërtën mund të paguajmë çmim të lartë për kryeneçësi politike dhe ego personale të panevojshme si popull dhe si shtet”, vlerëson ish deputeti i LDK-së.
Ai thekson se Kosova vetë nuk ka mundur ta normalizojë situatën dhe se barrierat i kalojmë vetëm në koordinim me miqtë tanë.
“Kosova nuk e ka këtë luks që të lihet vetëm nga partnerët tanë strategjik. Gjatë këtyre ditëve vet si shtet nuk mundëm ta normalizojmë situatën në veri. Besoj se në koordinim me miqtë tanë ecim më mirë, më sigurt dhe i kalojmë më lehtë barrierat që i kemi përpara”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/


