Sporti

20 autubusë drejt Podujevës, kryetari i ‘Arpagjikëve’ paralajmëron udhëtimin më të madh në historinë e tyre

06/01/2023 17:51
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Lirisë dhe ajo e Ferizajt do të përballen të dielën në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.

Fituesi i këtij takimi do të sigurojë një vend në Superligën e Kosovës për edicionin e ardshshëm, me ndeshjen që pritet të jetë jashtëzakonisht e rivalizuar dhe me shumë spektakël.

Spektakël nuk do të ketë vetëm në fushë, por edhe në tribuna, atje ku ‘Arapagjikët’ nga Prizreni dhe ‘Ujqit’ nga Ferizaj, kanë paralajmëruar udhëtime masovike.

Udhëheqësi i tifo-grupit nga Prizrenit, Muhamed Bytyqi zbuloi për ‘GazetaBlic Sport’ se rreth 20 autubusë do të udhëtojnë në drejtim të Podujevës, me udhëtimin që pritet të jetë më i madhi në histori të klubit.

“E kemi pritur gjatë këtë moment, e kemi mbështetur skuadrën pa e ditur se do të arrijmë deri këtu. Për ndeshjen e barazhit jemi përgatitur në maksimum, do të jetë një nga udhëtimet më të mëdha në histori të klubit, të disponueshëm janë 20 autobusë“, tha fillimisht ai.

“Fituam apo nuk fituam, ne nuk do të ndalemi kurrë duke mbështetur skuadrën e Lirisë. Shpresojmë tek fitorja dhe jemi të përgatitur edhe tek detajet e vogla”, vazhdoi ai.

Në fund, ai tha se është përgatitur edhe festa në rast se do të arrihet suksesi i madh, kurse pati edhe një mesazh poashtu në drejtim të skuadrës.

“Kemi përgatitur festë tek ‘Shadervani’ në rast se e fitojmë ndeshjen, po besoj që do të jetë diçka e madhe. Mesazhi jem për futbollistët është që ta djersitin fanellën siç duhet, ashtu siç e kanë bërë deri më tash, por në këtë ndeshje ndoshta ta japin edhe dyfishin e asaj. Ne jemi prapa tyre, shkojmë drejt fitores”, përfundoi Bytyqi.

/GazetaBlic Sport/