Asambleja Komunale e Prishtinës ka miratuar të enjten vendimin për subvencionimin e familjeve në vlerë prej 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private.
Në vendim thuhet se subvencionimi do të vlejë vetëm për familjet që kanë të ardhura më pak se 500 euro në muaj.
E pikërisht për këtë, për Front Online ka folur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.
Ajo thotë se ky subvencionim do të bëhet për 12 muaj të vitit.
“Për sivjet janë ndarë 100 mijë euro për regjistrimin e fëmijëve në kopshte private, ky vendim vlen për një vit dhe do të paguhet do të thotë secili prind për fëmiun që e regjistron çdo muaj, do të thotë nga 70 euro”, thotë ajo.
E njëri nga kriteret kryesore do të jetë për ato familje që kanë të ardhura më pak se 500 euro.
“Kriteret tani jemi duke i përcaktuar, por kriteri kryesor do të jetë familjet të cilat të ardhurat i kanë nën 500 euro, ky është kriteri kryesorë”, u shpreh ajo.
Edhe një familje që ka dy fëmijë në kopsht mund të përfitoj prej këtij subvencionimi.
“Nëse një familje ka më shumë se një fëmijë në kopsht, dhe të ardhurat i ka prapë ndër 500 euro do të subvencionohet për të dy fëmijët”, tregon Musmurati.
Ajo për Front Online thotë se janë detyruar të bëjnë një bashkëpunim të tillë me kopshtet private, pasi që është numër tejet i vogël i kopshteve publike.
“Është vendim i ri që e kemi marrë në drejtorinë e Arsimit duke e parë numrin shumë të lartë kërkesave që janë për regjistrim të fëmijëve në kopshte, e numri i vogël i kopshteve pastaj jemi detyruar që të ndërmarrim masa dhe të bëjmë këtë lloj bashkëpunimi me kopshtet private, në mënyrë që të rritet sa më shumë numri i fëmijëve që regjistrohen në kopshte e sidomos për kategoritë të cilat kanë vështirësi financiare”, tha ajo për Front Online.
Vendimi do të hyjë në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe shtatë ditë pas publikimit në gjuhën zyrtare në ueb faqen e komunës.


