Lajme

Hagë / Dëshmitari thotë se në 1998-ën ka tentuar të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin

05/23/2023 13:06
nga:N M

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis ka thënë se në vitin 1988 ka tentuar të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

Këtë ai e kishte bërë pasi që sipas tij, iu kishin thënë se të njëjtit janë kryesorët e UÇK-së.

Kur iu lexua një pjesë e deklaratës së tij në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) se ‘‘Prokurori të ka pyetur kush ishte në atë kohë Adem Demaçi, dhe ti je përgjigjur “Në atë kohë ata thonin që ishte kryesori, thonin është mbi UÇK-në”, do të ishe përsëri përgjigja juaj kjo’’, ai tha se ‘në atë kohë ashtu e thoshin, në atë kohë.’’.

Ai po ashtu tha se njerëzit i kishin thënë se Adem Demaçi ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së, andaj edhe kishte shkuar në Prishtinë.

Tutje, ai tha se edhe kishte shkuar në fshatin e Jakup Krasniqit për ta takuar atë së bashku me nënën e tij, por që nuk e kishin gjetur dhe se për çështjen e tyre s’kishin biseduar me të.

Ai edhe për deklarimin e tij para prokurorisë se Krasniqi ishte mbi ushtrinë, tha se e kishte thënë se kishte kuptuar se ai ishte zëdhënës i UÇK-së.

Dëshmitari u përgjigj edhe në disa pyetje nga trupi gjykues por që në shumica e tyre kishte përmbajtje të redaktuar.

Në këto rrethana, dëshmitari i gjashtë ka përfunduar dhënien e dëshmisë së tij dhe ka filluar dëshminë dëshmitari i shtatë në këtë çështje, i cili po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e ZPS-së, fillimisht në sesion privat.

Dëshmitari i gjashtë thotë se fshatarët kanë bërë roje nga frika prej forcave serbe

(Përditësua, ora 12:00)-Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355 në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Eric Tully tha se fshatarët kanë bërë roje natën nga frika prej forcave serbe.

‘‘Bojshin roje, e runin fshatin nga forcat serbe, kishin frikë natën mos po hijnë e me dhon alarm që ka diçka’’, tha ai, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Paraprakisht, ai pohoi se në një deklaratë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) në 2019-ën, kishte thënë se ‘‘në një rast, personi 3 bëri një mbledhje në fshat me dal natën me rujt, personi 3 ka bërë roje me disa djem të rinj, fshati ka bo mbledhje për me bo roje, civilët e fshatit kanë bërë roje’’.

Tutje, i njëjti tha se kjo ka ndodhur në gusht-shtator të 1998-ës dhe se kjo ka qenë punë vullnetare e cila nuk është paguar por që edhe askush s’ka qenë i detyruar ta bëjë.

I pyetur se a ka qenë e zakonshme që edhe fshatrat tjera të e bëjë këtë roje nate, përmbajtja ka qenë e redaktuar.‘‘Betimi për Drejtësi’’

Haziri: Qeveria ka marrë obligime, çdo vonesë në lidhje me draft-statutin e Asociacionit, në dëm të saj!