Të hyrat vetanake të komunave të Kosovës, në vlerë prej 37.5 milionë janë në Ministrinë e Financave.
Komunat po kërkojnë kthimin e tyre, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh nga kjo ministri.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë për Gazeta Blic se dëmi i bërë me marrjen e këtyre mjeteve është jashtëzakonisht i madh dhe se mos alokimi i tyre nga ministria e financave është në kundërshtim me katër ligje.
Në këtë mënyrë, sipas saj ato para janë të bllokuara dhe nuk mund të shfrytëzohen as nga ministria.
“Jemi në gjysmën e dytë të muajit maj, dëmi tashmë është bërë. Edhe sikur ministria e financave t’i zhbllokonte nesër këto mjete, dëmi i bërë është jashtëzakonisht i madh. Janë 37.5 milionë euro, mjete të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe që ministria e financave nuk po ua alokon komunave. Është në kundërshtim të plotë me ligjin sepse mbi 90 deputetë e kanë votuar amendamentin që këto mjete të ju lihen komunave. Dhe sot ministria e financave as nuk ua alokon këto mjete dhe as nuk mund t’i shfrytëzojë sepse ia ndalon ligji për menaxhimin e financave publike, ligji për financat e pushtetit lokal dhe ligji për qeverisje lokale. Janë këto tri ligje, edhe ligji i buxhetit, katër ligje që ata po i shkelin me mos alokimin e këtyre mjeteve”, thekson ajo.
Ndërsa, Bajrami e quan skandaloze deklaratën e kryeministrit Albin Kurti në takimin e fundit me kryetarët e komunave se ato për vitin e ardhshëm do t’i kenë 200 milionë euro më tepër buxhet.
“Ishte skandaloze deklarata e kryeministrit Kurti, përderisa ata i kanë bllokuar 37.5 milionë, ku prej tyre 28.8 janë vetëm të Komunës së Prishtinës, janë 170 projekte të cilat departamenti i prokurimit nuk mund t’i procedojë pa alokimin e këtyre mjeteve, ndërsa ai flet që në vitin e ardhshëm komunat do të kenë rreth 200 milionë euro më tepër. Në qoftë se komunat do të kenë mjete më tepër kjo është për shkak se buxheti ndahet me formulë, d.m.th është granti për shëndetësi, arsim, dhe këtu pak është ndikimi i qeverisë qendrore, derisa unë i rikujtoj kryeministrit që pikërisht në buxhetin e vitit 2023 komunat në përqindje kanë 1.5 për qind buxhet më pak në krahasim me vitin 2022. Në terma absolut buxheti ka qenë më i lartë, mirëpo në terma relativ, në përqindje të buxhetit të përgjithshëm, buxheti i komunave ka qenë më i ulët”, potencon deputetja e LDK-së për Gazeta Blic.
Ajo shpreson që mjetet të zhbllokohen shpejt, edhe pse dëmi është bërë, por shton se qeveria dhe VV do ta paguajë çmimin nga qytetarët, për dëmin që po ua bën atyre.
“Po e them edhe njëherë, unë shpresoj që këto mjete të zhbllokohen sa më shpejt, mirëpo ky bllokim veç e ka bërë dëmin dhe kjo bllokadë nga ana e qeverisë qendrore karshi komunave me të vërtetë është e pajustifikueshme. Çmimin e paguajnë qytetarët e Kosovës, të cilët mendoj se do t’ia kthejnë qeverisë dhe VV-së, për këtë që po i bëjnë të paguajnë”, deklaron deputetja Hykmete Bajrami./Gazeta Blic/


