Analisti politik, Fidan Ukaj ka komentuar zhvillimet e fundit rreth dialogut ku sot u takuan Besnik Bislimi dhe Peter Petkoviq, por sipas palës kosovare nuk është dashtë të priten rezultate.
Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se, përderisa Bashkësia Ndërkombëtare nuk sjell në propozim të ri rreth Asociacionit, të gjitha takimet mes palëve do të jenë të kota dhe pa rezultate.
“Në fakt jo vetëm ky takim, por edhe shumë takime tjera nuk do të sjellin rezultate përderisa nuk do të ketë një propozim nga Bashkësia Ndërkombëtare rreth Asociacionit sepse Serbia po kërkon një Asociacion me kompetenca ekzekutive, ndërsa Kosova me të drejtë kërkon një Asociacion në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese pa komptenca ekzekutive”, tha Ukaj.
Ukaj shprehet skeptik për rezultate të takimeve nëse procesi lihet në vullnetin e palëve dhe me të nuk merren më seriozisht aleatët dërkombëtar.
“Pala serbe ka qenë dhe mbetet palë destruktibe dhe penguese e këtij procesi, duke ardhur me propozime që edhe ajo vet e dinë se janë të papranueshme për palën kosovare, pastaj duke hedhë akuza se pala kosovare nuk ka qenë “konstruktive”, tha Ukaj.
Ukaj shton se me procesin e Asociacionit do të ndodhë skenari i njëjtë si me marrëveshjen e 27 shkurtit, ku në tavolinën e takimit ishte një propozim evropian-amerikan.
“Unë jam skeptik se do të ketë përafrim të qëndrimeve, nëse kjo lihet në vullnetin e palëve për t’i zbatuar marrëveshjet apo edhe draftimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendojë se do të ketë një propozim evropian edhe për Asociacionin si marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel ku propozimi ishte evropian-amerikan, ku u kërkuan mendimet e palëve rreth propozimit dhe në fund u soll i gatshëm me “merre ose lëre”. Mendoj se do të jetë skenar i njëjt edhe për Asociacionin”, tha Ukaj.
“Nuk do të ketë rezultate, derisa nuk do të ketë presion të fuqishëm nga Bashkësia Ndërkombëtare për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura”, tha Ukaj për GazetaBlic.
Ndërsa, sipas analistit Dritëro Arifi takimi i sotëm ishte veç të shpalosin ide.
Kështu të paktën thotë ai për GazetaBlic ku edhe potencoi se takimet po zhvillohen në mënyrë që palët ta shohin janë të gatshme apo jo, të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.
“Sa i përket takimit të sotëm është evidente që është parë si shpalosje e ideve, cilat pika do të zbatohen në fillim dhe për të parë se sa janë palët e gatshme për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit”, tha Arifi.
Arifi thotë se nëse takimet zhvillohen me ritmin e njëjtë, dështimet do të jenë të pranishme.
“Tash duhet të kuptuar edhe BE, pala kosovare dhe ajo serbe që nga ai rrafshi teorik i cili është diskutuar më herët, tash po flasim për rrafshin praktik. Po flasim për modele të Asociacionit dhe si do të realizohen marrëveshjet. Unë besoj që në takimet e radhës do të ketë shumë më shumë intestifikime nëse dëshirojnë të gjitha palët që të ketë sukses marrëveshja, pra duhet të ketë rezultate.ëse vazhdohet me këtë ritëm, vetëm për t’u takuar dhe mos të bërë asgjë, atëherë do të dështohet sikurse marrëveshjet tjera”, tha Arifi për GazetaBlic.
Kujtojmë se, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në takimet e zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.
Pas përfundimit të takimeve, i pyetur nga gazetarët, zëvendëskryeministri Bislimi tha se rezultate as nuk është dashur të priten sot.
‘’Mendoj që rezultate as nuk është dashur të priten sot. Është fillim i diskutimeve në mënyrë që ta kemi të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe ku duam të shkojmë, por nuk është që kemi pritur sot të përfundojmë ndonjë nga proceset.’’
Në lidhje me atë se çfarë ka qenë në agjendë sot, ai ritheksoi se është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit.
‘’Gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit. Sekuencimi për ne ka qenë pjesa qendrore. Ne kemi patur një propozim të Lajcak, ku kemi patur shumë vërejtje tona. Kemi bërë propozimet në këtë draft-dokument të Lajcak ku kemi zgjeruar domenin dhe kemi dashur të sigurohemi që secili nen i Marrëveshjes Bazike është i përfaqësuar në aktivitetin e zbatimin e tij. Pala serbe nuk ka dërguar ndonjë propozim por ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka patur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet në mënyrë që bashkërisht të dilet me një plan të zbatimit.’’
Në vijim, zëvendëskryeministri Bislimi u pyet se a është folur dhe për temat që janë diskutuar edhe në takimet e nivelit të lartë të 2 majit dhe për situatën në veri.
‘’Situata në veri nuk është trajtuar fare sot. Për takimin e nivelit e lartë në 2 maj nuk ka qenë pjesë e takimit sot, mirëpo ka qenë dokumente të cilat na ka sjellë Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë. Ai ka sjellë përshëmbull një draft se si do të duhej të dukeshin termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e Marrëveshjes Bazike, draft-dokument për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me zbatimin e Marrëveshjes për të Pagjeturit dhe një metodologji për atë se si ai e sheh punën e mëtejme rreth zbatimit të pikës 7 të Marrëveshjes Bazike”.
“Dy dokumentet që i ceka në fillim kanë ardhur të enjten dhe rrjedhimisht për ne ka qenë e pamundur që sot të vijmë me përgjigjet në plotni, por kemi premtuar që të njëjtat do t’i dorëzojmë deri ditën e premte, pas konsolidimit të të gjitha komenteve që vijnë nga palët e angazhuara. Ndërkaq për metodologjinë kemi thënë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për një prej pikave të marrëveshjes pa patur një plan të zbatimit për marrëveshjen në tërësi dhe rrjedhimisht të njëjtën nuk është diskutuar fare.’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Mbi sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj se ka dallime mes palëve.
‘’Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në Aneksin e Implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga BE që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në webfaqen e tyre’, deklaroi Bislimi.


