Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i cili nga Gjykata Themelore në Prizren, ishte dënuar me dënim unik prej 14 muajve burgim efektiv për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gjykata Themelore në Prizren, më 12 qershor 2022, të akuzuarin Musliu e kishte shpalluar fajtor për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke e dënuar me dënim unik prej 14 muaj burgim efektiv dhe dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike dhe shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas mbajtjes së dënimit., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se përshkrimi faktik i aktgjykimit përmban mangësi thelbësore të cilat e bëjnë të paqartë aktgjykimin në tërësi dhe në kundërthënie me vet dispozitat e ligjit penal që sanksionon veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale për faktin se dispozitivi është i paqartë, i pa kuptueshëm dhe se nuk është specifik në raport me formën e dispozitës materiale.
Shkalla e dytë ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes qëndrojnë dhe se ekzistojnë shkelje nga neni 384, paragrafi 12, paragrafi 1 lidhur me nenin 370, paragrafi 7 të KPP-së.
Sipas Apelit, përshkrimi i veprimeve të akuzuarit Musliu nuk është i qartë, gjë që aktgjykimin e bënë të dykuptimtë dhe konfuz.
“Nga ky përshkrim i veprimeve nuk është e qartë nëse i akuzuari është shpall fajtor për veprime që i ka ndërmarr me qëllim të përfitimit për vete apo për personin tjetër, Kolegji tërheq vërejtjen, se kjo mënyrë e ndërtimit të akuzës, dhe me pas e bartur në dispozitiv të aktgjykim mbi baza alternative, është hipotetike, e dykuptimshme dhe e bënë konfuz aktgjykimin” thuhet tutje në vendim.
Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se duhet provuar qëllimi i të akuzuarit, pasi është e papërcaktuar nëse i akuzuari veprimet i ka ndërmarrë për të përfituar personalisht apo për ti siguruar përfitim personit tjetër.
Po ashtu, në vendim thuhet se nuk ka prova për ekzistimin e elementit subjektiv, konkretisht dashjes së të akuzuarit për kryerjen e veprës penale dhe si e tillë kjo çështje sipas Apelit mbetet e paprovuar dhe hipotetike.
“Kolegji nuk e ka të qartë se në bazë të cilës provë gjykata konkludon se tek i akuzuari ekzistonte dashja me qëllim të dobisë për vete nga e nxjerrë këtë përfundim, si dhe në bazë të cilave prova vërteton faktin se i akuzuari kishte për qëllim që të përfitonte tjetri, këto çështje mbeten të paprovuara dhe në nivel hipotetik, si të tilla nuk mund të supozohet ekzistimi i tyre, pasi që bëhet fjalë për fakte vendimtare në përgjegjësinë penale të akuzuarit, dhe duhet të vërtetohen përtej dyshimit të arsyeshëm”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Sipas vendimit të Apelit, në rigjykim gjykata e shkallës së parë duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe të administroj provat ekzistuese e gjithashtu edhe prova tjera në veçanti të ketë vëmendjen në përcaktimin e saktë dhe të qartë të kompetencave të inspektorit të ndërtimit, si dhe legjislacionit sekondar, përkatësisht akteve tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë në nivel të Komunës së Prizrenit dhe pas kësaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.
Ndaj aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar në Apel, mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokate Valbonë Morina si dhe Prokuroria Themelore në Prizren dhe pas shqyrtimit të ankesave, më 12 shtator 2022, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim.
Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej 23 majit 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarrë veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Isuf Alibajrës ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.
Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanajt ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale.


