I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se me 2 maj nis procesi i themelimit të Asociacionit. Ai ka thënë se Asociacioni s’do të jetë jashtë modelit evropian.
Në anën tjetër, anëtarët e ekipit menaxhues për draf statusin e Asociacionit nuk i janë përgjigjur kryeministrit Albin Kurti për takim.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë gjatë ditës së sotme.
Ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka folur për formimin e Asociacionit, në një prononcim për Gazeta Blic.
Ai thotë se ai është obligim ndërkombëtar dhe se do të negociohen modalitetet e tij, struktura organizative e kompetencat e tij.
“Formimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar nga Marrëveshjet e Brukselit, të ratifikuara në Parlamentin e Kosovës. Modalitetet se si do të formohet ky asociacion dhe çfarë strukture organizative do të ketë dhe cilat do jenë kompetencat e tij janë çështje që duhet dhe do të negociohen”, thotë ai.
Por, sipas Rugovës, nuk guxon të negociohet karakteri unitar dhe rendi kushtetues i Republikës së Kosovës dhe aty nuk duhet të ketë kompromis.
“Një gjë nuk mundet dhe nuk guxon të negociohet, karakteri unitar dhe rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Asnjë statut i cilitdo mekanizëm institucional nuk mund të zbatohet nëse nuk është në përputhje më Kushtetutën e shtetit tonë. Këtu nuk ka kompromis”, vlerëson anëtari i LDK-së, për Gazeta Blic.
Rugova shton se deklarimet e Kurtit në opozitë dhe veprimet e tij tani si kryeministër janë kontradiktore, por që ai duhet të veprojë racionalisht dhe ta respektojë Kushtetutën e Kosovës.
“Deklarimet e Kurtit në opozitë dhe tani veprimet e tij si kryeministër janë tejet kontradiktore, por ai duhet të veprojë racionalisht dhe të respektojë në plotëni Kushtetutën e vendit dhe interesin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, deklaron Naser Rugova./Gazeta Blic/
“Me 2 maj s’ka pajtim për Asociacion, drafti do të plotësohet dhe të marrë miratimin e Kushtetueses”


