Lajme

Asociacioni/ Matoshi: Do të jetë model evropian që buron nga Kushtetuta – ekipi menaxhues ka punë me Kurtin, jo Krasniqin

04/27/2023 21:04
nga:G B

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se me 2 maj do të nis procesi i formimit të Asociacionit dhe se ai s’do të jetë jashtë modeleve evropiane.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se anëtarët e ekipit menaxhues të asociacionit janë ftuar në takim por nuk janë përgjigjur.

Lidhur me këtë dhe takimin e 2 majit, ku në Bruksel do të takohen Kurti e Vuçiq, njohësi i zhvillimeve politike, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Asociacioni do të themelohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe jo ashtu siç po taktizon partia e Vuçiqit në Kosovë.

“Asociacioni do të themelohet brenda kornizave të Kushtetutës dhe Ligjeve kosovare porse partia e Vuçiç-it në Kosovë taktizon duke pretenduar se Serbia është Ama Kushtetuese e Asociacionit e jo Kosova gjë që nuk kalon”, vlerëson ai.

Matoshi thekson se Vuçiçit duhet t’i bëhet e qartë se Asociacioni do të jetë model evropian dhe jo model i spastrimit etnik, ndërsa shton se ekipi menaxhues nuk ka punë me Elbert Krasniqin por me Albin Kurtin.

“Asociacioni do të jetë model evropian që buron nga Kushtetuta e Kosovës e jo model i spastrimit etnik si Republika Srpska. Kjo duhet t’i bëhet e qartë Vuçiç-it dhe serbëve kosovarë, ndërsa ekipi menaxhues nuk ka punë me Elbert Krasniqin por me Albin Kurtin, sepse Asociacionin e dekreton Qeveria e jo Ministria e pushtetit lokal”, deklaron analisti Halil Matoshi.

Ndryshe, sot në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shtetet kërkuan që të themelohet Asociacioni sa më shpejt dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën./Gazeta Blic/

Mbretëria e Bashkuar pret takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit më 2 maj