Policia e Kosovës është sulmuar me shok bomba mbrëmë pas mesnate në veri të Mitrovicës, në rrugën “Ivo Llola Ribar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve.
Përmes një komunikate për media, Policia nuk ka treguar nëse ka të lënduar, derisa ka thënë se rasti po hetohet nga Prokurori si “sulm ndaj personit zyrtar”.
Ky sulm vjen pasi ditë më parë në Zubin Potok u dogjën dy vetura me targa RSK, ndërsa më pas dhe tri të tjera në Leposaviq.
Për aktin në Zubin Potok, policia njoftoi se ka arrestuar një serb, ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Këto sulme vijnë pak ditë pasi Lista Serbe njoftoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 21 prillit në komunat veriore në Mitrovcë dhe disa ditë para mbajtjes së tyre.
Për këto sulme dhe rrezikun që situata të përshkallëzohet, për Gazeta Blic kanë folur ekspertët e sigurisë.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se sulmi i mbrëmshëm ndaj Policisë dëshmon se po zbatohet kërcënimi i Listës Serbe për këto arsye.
“Sulmi i mbrëmshëm në veri të vendit po dëshmon që kërcnimi publik i Listës Serbe është duke u zbatuar për keto arsye: 1. Frika e humbjes së kontrollit në pjesën ku jetojnë qytetarët e komunitetit serb. 2. Rikthimi i ashtuquajtur “lidershipit” të Milan Radojeqiqit brenda komunitetit dhe tregues për Presidentin serb që në veri duhet të konsiderohet partner i Serbisë”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Shalës, situata mund të rrëshqasë në një situatë të bllokimit dhe sulmeve kundër policëve të Kosovës dhe mund të ketë tensione në aspektin e sigurisë.
“Situata mund të rrëshqas në një situatë të 2021/2022 ku patëm bllokim dhe sulme kundër zyrtarëve policorë të vendit. Por, të gjitha këto kanë edhe qëllimin diplomatik që për veriun dhe mos pjesmarrja e Listës Serbe në jetën politike do të prodhojë tensione të ndryshme në aspektin e sigurisë”, vlerëson eksperti i sigurisë.
Ai shton se institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin hapa konkret dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Pra, institucionet e vendit duhet të marrin hapa konkret dhe mos të bien pre e provokimeve nga këto grupe, duke zbatuar planin e tyre për të ofruar dhe garantuar rend dhe siguri”, deklaroi Drizan Shala për Gazeta Blic.
Ndërsa, Armend Halimi, studiues i sigurisë, vlerëson se Serbia nuk ka arritur ta fshehë asnjëherë ndikimin për çdo akt kriminal në Kosovë dhe edhe këto raste janë avaz i agjendave të Serbisë për të ngjallur frikë te qytetarët serbë.
“Përkundër propagandës së shtetit të Serbisë se gjoja ka pakënaqësi dhe revoltë nga qytetarët serbë të Kosovës, asnjëherë nuk ka arritur të fsheh ndikimin direkt të orkestrimit të çdo akti kriminal a terrorist në Kosovë. Andaj, edhe rastet e fundit jane avaz i agjendave të Serbisë për të ngjallë frikë te qytetarët serbë që janë lojal ndaj shtetit të Kosovës, si dhe për të nxitur kryengritje të serbëve”, shprehet ai.
Sipas Halimit, këto akte janë të patolerueshme dhe duhet dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, deri te vëndia e sanksioneve ndaj Serbisë.
“Sigurisht që këto akte janë të patolerusheme, gjë që bashkësia ndërkombëtare duhet t’i dënojë ashpër, deri tek sanksionimi i Serbisë për qasjet agresive e destabilizuese karshi Kosovës dhe rajonit. Realisht Serbia edhe po i harxhon nervat perëndimit për jo përmirësimin e saj, përkundër përkëdheljes së pamerituar”, shton studiuesi i sigurisë.
Ai shton se aktet e dhunshme në veri kanë mbrapa Listën Serbe dhe mbështetëse Serbinë dhe se Lista Serbe sipas tij duhet të futet në listën e organizatave terroriste.
“Çdo akt i dhunshëm në veri të Kosovës ka mbarapa si organizator Listën Serbe dhe mbështetëse Serbinë. Gjithë kjo ka këtë varg përgjegjësie dhe hierarkie. Andaj, konsideroj se Lista Serbe do të duhej të futet në listën e organizatave terroriste dhe t’i pamundësohet ndikimi apo pushteti legal i saj”, potencon Armend Halimi./Gazeta Blic/


