Lajme

Bislimi dhe Szunyog nënshkruajnë marrëveshjen IPA 2022 në vlerë mbi 91 milionë euro

03/24/2023 09:36
nga:Astrit Gashi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e kanë nënshkruar marrëveshjen financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022.

Bislimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes tha se ajo e ka vlerën e mbi 91 milionë eurove.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje sot, Kosova përfiton edhe mbi 62 milionë euro nga BE-ja të cilat do të zbatojnë një sërë projektesh. Përveç fondeve të ndara nga BE-ja, fondet do të shtohen edhe nga buxheti jonë me mbi 4 milionë euro dhe po ashtu do të vijnë financime nga partnerët tjerë bilateral në masën e 24.88 milionë euro – gjithsej kjo marrëveshje zbaton fonde prej 91.83 milionë euro”, tha Bislimi.

Szunyog, tha se Bashkimi Evropian, është ofruesi më i madh i asistencës financiare për Kosovën dhe se po ashtu sipas tij BE mbetet partneri strategjik më i rëndësishëm për vendin tonë.

“Para disa muajsh e kemi nënshkruar një kornizë për mbështetje financiare për energji. Sot jemi dëshmitar të nënshkrimit të një pakoje të re të rrugës së saj evropiane. BE-ja vetëm që mbetet ofruesi më i madh i asistencës financiare për Kosovën, por janë partnerë strategjik”, tha ai.

Szunyog, i renditi disa prioritete të cilat i synon mbështetja e BE-së apo marrëveshja IPA 2022.

“Kjo mbështetje është për të mbështetur, zhvillimin ekonomik dhe të gjelbër në Kosovë, ky lloj i ndihmës financiare fokusohet në prioritetet vijuese: Për të kontribuar në një shoqëri multietnike stabile, me një sistem të llogaridhënies. Të shtojë kapacitetet e Kosovës për shfrytëzimin në mënyrë efikase për fondet e IPA-së, për t’i shfrytëzuar nevojat emergjente. Për të ndihmuar tranzicionin drejt zvogëlimit të emetimit të karbonit. Për ta stabilizuar gjendjen ekonomike për komunitetet”, ka thënë ai.

Tutje ai tha se pret ratifikim të shpejt të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.