Lajme

“Rinegoiciimi i Kurtit me marrëveshjen e Asociacionit i rrezikshëm – Qeveria të ndihmohet ta fitojë betejën kundër kompetencave të vetëmenaxhimit”

03/21/2023 14:06
nga:G B

Ish- ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka folur për Gazeta Blic për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë të arritur në Ohër, me 18 mars.

Ajo thotë se kjo marrëveshje ishte domosdoshmëri e rrethanave dhe pasojë e historisë.

“Domosdoshmëri e rrethanave sepse në kontinentin Evropian po ndodhë një luftë e tmerrshme gjenocidale, e një degë e atij agresori (pra Rusisë) ndodhet mu në kufi me Kosovën, pra në Serbi. Me trazirat në veri në muajt e fundit u krijua bindja e rrezikut të një konflikti më të thellë në rajon, gjë që do të shpërqendronte vëmendjen e aleatëve perëndimor në Ukrainë, dhe do t’i ndihmonte Putinit të avancojë interesat e tij ilegale në Ukrainë”, thekson ajo.

Haradinaj-Stublla vlerëson se dialogu nuk ishte i definuar as në aspektin kohor e as të parimeve për tërë këto vite dhe disa herë rinegocoi çështje të brendshme, duke përfunduar me arritjen e disa marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, përfshirë edhe Asociacionin.

“Ndërsa pasojë e historisë sepse bashkësia ndërkombëtare pas mbikëqyrjes së pavarësisë na futi në një dialog të përhershëm me Serbinë duke pretenduar normalizimin. Fatkeqësisht, ky dialog nuk ishte i definuar as në aspektin kohor e as në atë të parimeve, prandaj brenda 10 vjeçarit dialogues Kosova disa herë radhazi rinegocioi Planin e Ahtisaarit, dhe rinegocioi çështje të brendshme të saj duke përfunduar me disa arritje por edhe me një grumbull marrëveshjesh njëanshëm të dëmshme për Kosovën siç ishte Asociacioni. Epilogu i normalizimit final nuk u arrit asnjëherë dhe në të gjitha temat që u rinegociuan, Kosova mbeti në vendnumërim: marrëveshja e IBM, njohja e diplomave, targat, energjia, vendet e rezervuara, zgjedhjet në veri, dokumentet e udhëtimit, dhe së fundmi të pagjeturit dhe asociacioni, etj. Përkundër rinegociimit, Kosova fatkeqësisht ende nuk ka bërë asnjë progres në asnjë nga këto tema”, potencon ish kryediplomatja për Gazeta Blic.

Ajo ka thënë se marrëveshja e Ohrit nuk është njohje de facto siç thotë Kurti dhe disa opozitarë, por një armëpushim i brishtë që varet nga zbatimi i marrëveshjes.

“Intensiteti agresiv bazuar në urgjencën e sigurisë në terren dhe vëmendja e lartë transatlantike në këtë cikël dialogu, bëri që marrëveshja të jetë tërësisht asimetrike në disfavor të Kosovës, gjë që reflektohet edhe në aneksin e zbatimit.

Marrëveshja e Ohrit nuk është njohje defacto siç pretendon Kryeministri dhe çuditërisht disa opozitarë (sepse Kosova ende figuron si “pjesë përbërëse e Kushtetutës së Serbisë”), por është një armëpushim i brishtë që varet kryekëput nga zbatimi i shpejtë i neneve të marrëveshjes”, thotë ajo.

Haradinaj-Stublla potencon dykuptimësinë e rrezikshme të gjuhës politiko-ligjore në këtë raport.

“Si të gjitha marrëveshjet e BE-së, edhe kjo e Ohrit nuk ka gjuhë të qartë politiko-ligjore që do të evitonte keqinterpretimet e qëllimshme nga palët, por pikërisht e kundërta – përshkohet nga dykuptimësia e rrezikshme që padyshim se do të keqpërdoret nga të dyja palët. Në vend të nënshkrimit ligjërisht obligues, BE-ja vendosi fjalinë “zbatim në mënyrë të përshtatshëm dhe në mirëbesim.” Vetëm imagjinoni se çfarë niveli të mirëbesimit ka mes Kosovës dhe Serbisë, dhe do të arrini te përgjigja se si do të shkojë zbatimi i këtyre neneve në praktikë”, shton Meliza Haradinaj-Stublla.

Ish ministrja më tej thotë se marrëveshja është asimetrike në obligimet për të dyja shtetet dhe se Kosova ka nene të veçanta, ndërsa Serbia jo.

“Marrrëveshja është asimetrike në obligimet që i krijon për dy shtetet, duke veçuar si prioritare disa obligime për Kosovën si nene të veçanta (implementimin e Asociacionit, formalizimin e statusit ligjor të Kishës Ortodokse), ndërsa për Serbinë duke mos veçuar si nen të veçantë as përgjegjësinë historike për krimet gjenocidale të luftës, as për të pagjeturit, as për hapjen e Urës së Ibrit, as për mospengimin e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, as për funksionalizimin e pikave kufitare sipas marrëveshjes se IBM, e as për njohje reciproke me Kosovën. I vetmi obligim për Serbinë që vjen si nen i veçantë në marrëveshje është pika 1 për njohjen e pasaportave respective dhe dokumenteve tjera, dhe pika 4 ku Serbia obligohet të mos kundërshtojë asnjë nismë të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo fatkeqësisht nuk nënkupton që Serbia nuk do të vazhdojë të lobojë për fushatën e saj ilegale për çnjohje”, vlerëson ajo.

Ish kryediplomatja cek faktin se në marrëveshje parashihet që dialogu të mos përfundojë me kaq, deri në anëtarësim eventual në BE.

“Marrëveshja parasheh që dialogu të mos përfundojë me kaq, duke i lënë të dyja shtetet në dialog të përhershëm deri në anëtarësim eventual në BE, duke ia humbur kështu Kosovës edhe minimum 10 vjet për konsolidim të brendshëm, pa kushtëzimet e vazhdueshme destruktive që do vijnë nga Serbia përmes dialogut në vitet e ardhshme”, shton Haradinaj-Stublla.

Ndërsa, lidhur me nenin 7 dhe vetëmenaxhimin, ajo thotë se këtë fjalë e sheh si zëvendësuese të Asociacionit. Ndërsa që shton se beteja për kompetencat e kësaj strukture vetëmenaxhuese do të fillojë në takimet e radhës të negociatorëve në Bruksel.

“Sa i përket pikës 7 specifikisht, “vetëmenaxhimin” e shoh si fjalë zëvendësuese për Asociacionin, ndërsa beteja për kompetencat e kësaj strukture vetëmenaxhuese do të fillojë në takimet e radhës të negociatorëve në Bruksel, prandaj nuk dua të paragjykoj se sa zotësi e shkathtësi diplomatike e ligjore do të tregojë kjo qeveri për t’i evituar sërish kompetencat ekzekutive të cilat i hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në vitin 2015”.

Ajo thekson se Asociacioni nuk është dështim i kësaj qeverie, pasi këtë e kanë bërë Thaçi e Mustafa, por qeveri Kurti duhet fajësuar që lejoi që kjo marrëveshje të veçohet në mesin e një grumbulli marrëveshjesh tjera.

“Më duhet të theksoj se Asociacioni assesi nuk bën t’i atribuohet si dështim kësaj qeverie, sepse prezenca e kësaj marrëveshjeje të dëmshme është pasojë e veprimeve vetëshkatërruese të ish Kryeministrave Thaçi e Mustafa. Këtë qeveri duhet ta mbajmë përgjegjëse se si lejoi që Asociacioni të veçohet si marrëveshje mbizotëruese në grumbullin e marrëveshjeve të tjera të paimplementuara, dhe si lejoi futjen e Kishës Ortodokse për të parën herë si pikë e veçantë në dialogun e Brukselit”, deklaron ajo.

Krejt në fund, ish ministrja thekson se është operacion i rrezikshëm rinegocimi i qeverisë Kurti me ridefinimin e marrëveshjes së Asociacionit.

“Rinegoiciimi që po bën qeveria Kurti me ridefinimin e marrëveshjes së Asociacionit është operacion shumë i rrezikshëm. Tani gjatë rinegociimit, qeveria duhet të jetë e kujdesshme që ta ruajë mbrojtjen ligjore të Gjykatës Kushtetuese në Statut të strukturës vetëmenaxhuese të pakicës serbe, si dhe të kujdeset që të mos i kontrabandohen nga Serbia 23 çështjet që nuk e kaluan testin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015. Qeveria duhet të ndihmohet nga të gjithë që ta fitojë betejën kundër kompetencave ekzekutive të vetëmenaxhimit (Asociacionit) në takimet e radhës në Bruksel”, përfundon Meliza Haradinaj-Stublla./Gazeta Blic/