Kombëtarja e Kosovës U21 këtë muaj do ta shfrytëzojë për t’i zhvilluar dy ndeshje miqësore, në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për ndeshjet kualifikuese për Evropianin ‘Sllovakia 2025”.
Në fakt, Dardanët U21, të hënën, do të udhëtojnë në Antalya, atje ku do të zhvillojnë kampin e radhës përgatitor dhe ku do t’i luajnë dy miqësore: fillimisht kundër Moldavisë U21, më 24 mars në Antalya dhe më pas kundër Turqisë U21, më 27 mars në Alanya.
Përzgjedhësi Afrim Tovërlani për këto dy miqësore ka ftuar 23 futbollistë. Pjesë e listës për herë të parë është edhe portieri i Drenicës, Altin Gjokaj. 17 vjeçari Gjokaj ka fituar besimin e trajnerit Tovërlani, duke bërë tashmë një hap të madh në karrierën e tij, natyrisht pas paraqitjeve fantastike që kishte në Superligë.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Gjokaj tha se është jashtëzakonisht i lumtur për ftesën dhe se është kënaqësi e madhe që do të jetë pjesë e kombëtares U21.
“Jam shumë i lumtur për këtë ftesë, falënderoj trajnerin për besimin që më dha, është nder dhe kënaqësi të jem pjesë e kombëtares U21, për mua kjo ftesë është një tjetër motivim për punë shtesë. Mezi pres të bashkohem me grupin dhe të takoj shokët e skuadrës. Ju premtoj angazhim maksimal”, tha Gjokaj.

Kombëtarja e Kosovës U21 është e përfshirë në Grupin D për kualifikimet e Evropianit 2025, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania, Polonia, Izraeli, Bullgaria dhe Estonia. Ciklin kualifikues Dardanët U21 e fillojnë në më 20 qershor në shtëpi ku do të përballen me Estoninë.
/GazetaBlic Sport/


