Lajme

Deputeti i PDK-së: Nuk kemi nevojë për modelet e Asociacionit, plani evropian cenon rendin kushtetues – serbët duan ta nxjerrin Kurtin si patriot

03/15/2023 22:00
nga:G B

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier sërish ka kërkuar që partitë opozitare LDK dhe PDK duhet ta pranojnë planin evropian për të cilin janë pajtuar Kosova e Serbia në Bruksel, pasi s’ka marrëveshje më të mirë.

Se marrëveshja duhet të nënshkruhet ka deklaruar edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se ky plan e ka brenda njohjen.

Lidhur me qëndrimin e PDK-së, për Gazeta Blic ka folur deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Ai thotë se e kuptojnë kërkesën e ambasadorit amerikan, por që edhe ai duhet ta kuptojë shqetësimin e tyre, se plani evropian i pranuar nga Kurti e cenon rendin kushtetues.

“Sa i përket kërkesës së SHT Ambasadorit Amerikan, në e kuptojmë si kërkesë për të ardhur te një zgjidhje në kuadër të dialogut por edhe Ambasadori Amerikan e kupton drejtë shqetësimin tonë. Plani evropian aktual që e ka pranuar Kryeministri cenon rendin kushtetues të Kosovës. Ky plan në disa pika është i rrezikshëm për Kosovën, Neni 7 e prish rendin kushtetues me avancimin në status shtetëror, apo ambasadë të kishës ortodokse, vetëqeverisja apo vetëmenaxhimi është autonomi dhe nivel i tretë i pushtetit, diçka që e ka kundërshtuar edhe vetë SHT Ambasadori Hovenier, dhe më e keqja është se merr obligim themelimin e Zajednicës, por tash me modele “evropiane” të cilat në fakt janë defunksionalizim i shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Berisha thekson se nuk mund t’i besojnë kryeministrit Kurti që e ka shkelur çdo parim prej që ka ardhur në pushtet, teksa shton se ndërkombëtarët duhet të jenë korrekt në komunikim me PDK-në, pasi kjo parti as një gotë ujë nuk e ka rrëzuar në Kuvendin e Kosovës.

“Po ashtu, në nuk mund t’i besojmë një Kryeministri i cili e ka shkelur çdo parim që ka proklamuar për ardhje në pushtet. Ne nuk mund t’i besojmë një kryeministri që nuk është transparent për bisedime. Ne nuk mund t’i besojmë një kryeministri i cili për dy vite ka ndalur çdo zhvillim pozitiv në vend.  Andaj ne jemi të shqetësuar e mosbesues ndaj tij. Mendoj se edhe diplomatët ndërkombëtarë duhet me qenë më korrekt sa i përket komunikimit me PDK-në. Ne nuk kemi rrëzuar asnjë gotë uji në kuvendin e Kosovës”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.

Ai kujton se Kurti erdhi në pushtet duke kundërshtuar Zajednicën, teksa hidhte gaz lotsjellës në Kuvend e gjuante policinë me motolov.

“Albin Kurti erdhi në pushtet me parullën ”Zajednica nuk kalon”! Dogji në molotov policinë e Kosovës, mbushi me gaz lotsjellës të gjitha sallat e kuvendit. Ai erdhi në pushtet duke rrethuar pronat private të ish Kryeministrit të Republikës së Kosovës, goditi me armë raketore “zolla” në shenjë kërcënimi të hapur për jetën e deputetëve të kuvendit. Ne nuk i kemi harruar këto”, shton ai.

Berisha ia kujton Hovenierit deklaratat e Kurtit se Shtëpia e Bardhë është “shtëpi e verdhë” marrëveshjet atje “thikat mbi harta” dhe “kërcitja e shampanjës në Amerikë”.

“SHT Ambasadori Hovenier, e mban mend kur Albini i quante Shtëpinë e bardhë si “shpinë e verdhë”, marrëveshjet atje “thikat mbi harta” dhe “kërcitja e shampanjës në Amerikë”, prandaj ata duhet ta sqarojnë njëri-tjetrin”.

Deputeti i PDK-së ka folur edhe për modelet e asociacionin nga Lajçaku të cilat po i analizon Kurti, teksa thotë se Kosova nuk ka nevojë për to, pasi e ka modelin e vet për akomodimin e të drejtave të pakicave brenda Kushtetutës dhe infrastrukturës së ligjeve aplikative.

“Sa i përket tendencave për mashtrim të Kryeministrit Kurti, se po i analizon modelet e Lajçakut, se po lexon aq shumë janë pjesë e teknologjisë gjuhësore e mediale të Kurtit e shpurës së tij partiake e qeverisëse. Kosova nuk ka nevojë për modelet e Lajçak për ta bërë asociacionin dhe akomoduar të drejtat e pakicave. Kosova e ka modelin e vet për akomodimin e të drejtave të pakicave brenda Kushtetutës dhe infrastrukturës së ligjeve aplikative. Kështu qëndron edhe në Marrëveshjen e Washingtonit. Kosova e ka modelin në kuadër të Kushtetutës së vet, demokratike dhe evropiane, që gjeneron nga Pako e Ahtisarit, se si mund ta bëjë asociacionin. Në Kosovë ekziston një asociacion funksional, nëse duhet si “model”.Ky është krijuar dhe pranuar, në frymën e parimeve të demokracisë perëndimore të BE-së. Nëse sllovakut Lajçak e sorroistëve, ju duken “pamjaftueshmëri” ajo çka ofron Pako e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, atëherë problemi janë parimet e BE-së. Tendenca për të adaptuar modele evropiane të përzgjedhura nga sllovaku Lajçak, janë tendencë për ta kamufluar tradhtinë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetin politik të vendit”, deklaron Hisen Berisha për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se presidentja po pretendon ta arsyetojë tradhtinë përmes planit franko-gjerman, teksa përmend opsionet e presidentit Rugova për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Ndërsa pretendimi i presidentes për ta arsyetuar tradhtinë e tyre përmes planit franko gjerman, është po ashtu pjesë e objektivave te tyre anti-shtet dhe anti pavarësi e Kosovës. Ky nuk është koncesioni i Kosovës, por tradhtia tyre ndaj Kosovës. Kosova dhe shqiptarët e kanë bërë koncesionin e madh, kur nga tre opsionet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që ofroi presidenti Rugova, 1. Nëse nuk shpërbehej Jugosllavia – Kosova të ketë statusin e republikës. 2. Nëse shpërbëhet Jugosllavia- Kosovës të jetë shtet i pavarur e sovran; 3. Nëse Kosova pengohet të jetë shtet i pavarur, atëherë i bashkohet Shqipërisë natyrale. Ne shqiptarët, pas shpërbërjes në Jugosllavisë me Komisionin e Bandinterit dhe me luftë, u përcaktuam për Kosovën – shtet sovran e i pavarur.  Ketë koncesion e bëri realitet Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vazhdim të luftës politike të viteve 1988/89, deri dhe me luftën e armatosur çlirimtare në vitin 1998/99”,

Ai shton se plani franko-gjerman e Zajednica janë të negociuara mes BE-së dhe Serbisë.

“Kurse plani franko-gjerman e “zajednica” të negociuara në mes BE dhe Serbisë, ku arbitri në rast çfarëdo  mospajtiueshmërie, është BE, është tradhtia që po e bën koalicioni i kolaboracionistëve me Serbinë. Kjo u arrit me refuzimin e “asociacionit” me vërejtjet e Gjykatës kushtetuese; kjo u arrit me refuzimin e marrëveshjes së Uashingtonit, ku liritë, të drejtat, liritë fetare e statusi i objekteve të kultit konsiderohen të mbrojtura brenda infrastrukturës ligjore dhe Kushtetutës së Kosovës; kjo u arrit me reformatimin e dialogut dhe kthimin në antikushtetuese të disa nga marrëveshjet e arritura; kjo u arrit me nxjerrjen e “asociacionit” nga radha e 39 marrëveshjeve Kosovë – Serbi, të karakterit teknik e politik në Bruksel, në detyrim kushtëzues si “zajednicë” në “marrëveshjen për targat” si pika tre, që bëri kjo qeveri në vitin 2022”, thekson ai.

Deputeti thotë se të gjitha qëndrimet refuzuese sollën te plani evropian, me pikën 7 që është rrënuese për Kosovën e asociacionin.

“Pra, të gjitha këto qëndrime refuzuese dhe kundër çdo arritjeje të Kosovës, sollën te Plani franko-gjerman, me pikat e tij shtet-rrënuese ku peshon ajo 7, dhe asociacioni i negociuar në mes Serbisë dhe BE, që Serbisë i jep ingirenca për të ndarë pushtetin me Kosovën në 42% të territorit të vendit, tjetërson statusin e kishës ortodokse në Kosovë duke ja mbivendosur atë sovranitetit politik, bashkë me trashëgiminë tonë ortodokse dhe subordinimin kishës dhe sinodit rus në Beograd”.

Berisha po ashtu deklaron se qeveria dhe diplomacia serbe-ruse me këtë plan të Lajçakut po hapin derë që ta nxjerrin Kurtin si patriot dhe se po shihet se serbët duan që Kurtin ta djegin sa më pak.

“Qeveria dhe diplomacia serbe – ruse, me ketë “plan” Made in Lajçak, po hapin një derë prej nga do ta nxjerrin Albinin si patriot, mos të fitojë poenë politik, partitë e opozitës që po e kundërshtojnë brenda logjikës kushtetuese, marrëveshjen e mundshme. Pra, me qëndrimet nga Beogradi gjatë vizitës së Lajçak, po lexohet tashmë se serbët tërë luftën e kanë, se si me djegë sa më pak Kurtin, ngase ju duhet për të vazhduar komplotin deri së paku në fund të këtij viti, me ketë duhet t’i arsyetojnë edhe eurot që ju kanë dhënë përmes aferës korruptive në diplomaci”, shprehet deputeti i PDK-së.

Krejt në fund ai thotë se PDK e LDK janë të gatshme ta zbatojnë marrëveshjen e nënshkruar dhe votuar në kuvend, ashtu siç ka sugjeruar Gjykata Kushtetuese.

“PDK e LDK e kanë nënshkruar dhe votuar në kuvend një marrëveshje ndërkombëtare edhe janë të gatshme për ta zbatuar atë marrëveshje pikë për pikë sipas sugjerimeve të Gjykatës kushtetuese të Republikës së Kosovës. Mjaft është mjaft”, përfundon Hisen Berisha./Gazeta Blic/