Lajme

Ndërtimi i shkollës në Kamenicë, Kurti: Roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm dhe faktorë vendimtarë për zhvillimin e vendit

03/13/2023 15:18
nga:G B

Në 58-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe veprimtarit të madh shqiptar, në komunën e Kamenicës është vënë gurthemeli për ndërtimin e një shkolle që do ta mbajë emrin e tij.

Në ceremoninë  e fillimit të punimeve, morri pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri të ditur se në atë shkollë pritet ta vijojnë mësimin 379 nxënës.

“Projekti i kësaj Shkolle Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë, është ai i një shkolle moderne. Do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, pesë kabinete, një bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. Pas disa viteve shkollimi në kushte të papërshtatshme, nxënësit e Kamenicës do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për rritjen dhe zhvillimin e tyre”, tha ai.

Përvec simbolikës që lidhet me Fan Nolin , Kurti tha se edhe muaji mars e simbolizon hapjen e Mësonjëtores në Korçë, në vitin 1887.

“Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë, në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm dhe faktorë vendimtarë për zhvillimin e vendit.

Sipas tij, kjo është arsyeja pse është rritur buxheti i arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe po ashtu vendimi për ta bërë falas arsimin e lartë.

Në fund Kurti, shprehi mirënjohje për mësimdhënësit të cilët e dhanë jetën në luftën e fundit në Kosovë.