Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar për sulmet ndaj deputetes Ganimete Musliu, teksa ka thënë se ato janë të pa tolerueshme, por as nuk i takojnë asgjëje me çka historikisht populli ynë ka shfaqur karakterin e vet, raporton Gazete Blic.
Ai ka thënë se nuk është sakrifikuar për këtë vend që t’u mbyllet goja deputetëve të zgjedhur dhe nuk do të lejojnë kurrë që ky vend të bëhet i tillë.
Tahiri ka shtuar se si GP i PDK-së do të mbrojnë vlerat e demokracisë dhe do ta mbrojnë Musliun, teksa ka kërkuar që VV të distancohet nga kjo gjuhë që po ushtrohet ndaj saj.
Postimi i tij i plotë:
Kuvendi është forum i debatit të hapur e të lirë, ku shtrohen pikëpamjet politike për çështje vitale për të sotshmen dhe të ardhmen. Sulmet e linçimet publike nga militantët e pushtetit ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, znj. Ganimete Musliu, për shkak të fjalës së lirë të saj si përfaqësuese e qytetarëve në seancën e fundit të Kuvendit, jo vetëm që janë të pa tolerueshme, por nuk i takojnë asgjëje me çka historikisht populli ynë ka shfaqur karakterin e vet.
Mentaliteti që qeverisë aktualisht me Kosovën, e ka degraduar traditën e mirëfilltë politike, pikërisht duke nxitur e mësyrë fushata të linçimit e fyerjes, ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohet narracionit të pushtetit. Kjo frymë është anti-demokratike, anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. Nuk është sakrifikuar për këtë vend, që t’iu mbyllet goja deputetëve të zgjedhur. Nuk do ta lejojmë kurrë që ky vend të bëhet i tillë, ku një pushtet instrumentalizon militantë për të ofenduar e kërcënuar deputetë që i ka mandatuar qytetari.
Si Grup Parlamentar i PDK-së, ne qëndrojmë në mbrojtje të vlerave të demokracisë dhe në mbrojtje të koleges sonë, si dhe kërkojmë distancimin urgjent të Lëvizjes Vetëvendosje nga kjo gjuhë e paprecedent e urrejtës që po ushtrohet ndaj deputetes Musliu.


