Lajme

Escobar: Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim, njohja mbetet “qëllim përfundimtar”

02/28/2023 17:00
nga:Astrit Gashi

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është pyetur se pse në letrën e presidentit amerikan, Joe Biden, për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur është përmendur njohja reciproke është përdorur shprehja “qëllim përfundimtar”.

“Propozimi evropian nuk është për njohjen reciproke, por për normalizim. Pse ne e mbështesim këtë propozim tani, nuk nënkupton se ne nuk besojmë në idenë që për të qenë një rajon i shëndetshëm dhe që të lirohet nga incidentet e viteve ’90, ne besojmë që të gjitha shtetet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën për të pasur raporte të plota dhe pozitave”, ka thënë Escobar.

“Prandaj e kemi përdorur shprehjen ‘përfundimtare’, pra që njerëzit ta kuptojnë që ne nuk po synojmë ndryshimin e draftit të propozimit të BE-së, por edhe që nuk kemi lëvizur nga qëndrimi ynë për synimet përfundimtare për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të këtij propozimi shkruan se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

SHBA-ja ka mbështetur propozimin evropian, që fillimisht u ishte dorëzuar palëve në shtatorin e vitit të kaluar.

Escobar ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për SHBA-në dhe ajo dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e mira me këto shtet për të krijuar raporte të mira mes këtyre shteteve të rajonit.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.