Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar kryeministrin Kurti për mos-transparencë sa i përket çështjes së Asociacionit dhe planit franko-gjerman.
Shoshi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, opozita e ka pothuajse të pamundër të marrë informacione nga Kurti në lidhje me Asociacionin, sepse siç thotë kryeministri nuk qëndron në Kuvend.
“Kemi mungesë të informacionit nga kryeministri, nuk ka qëndruar në Kuvend. Kurti ka ik, dhe ne e kemi pas të pamundër të shprehim ankesat që kemi si opozitë apo për të marrë informata më shumë rreth çështjes së Asociacionit”, tha Musliu-Shoshi.
Shoshi e sheh problematike edhe çështjen e Kishës Ortodokse, ku sipas saj duhet të gjithë të informohen se për çfarë është duke u negociuar.
“Në propozimin franko-gjerman, një ndër pikat është edhe Kisha Ortodokse që sipas mendimit tim është problematike sepse asnjëherë më parë nuk është diskutuar kjo, tani e kemi status të veçantë dhe është nevoja që të kemi informacione se për çfarë po negociohet”, tha ajo.
Shoshi thotë se opozita është në terr informativ, teksa shton se në takimin e 27 shkurtit mes Kurtit dhe Vuçiqit do të flitet për zbatimin e këtij plani, ku nuk do të përjashtohet edhe diskutimi rreth formimit të Asociacionit.
“Kemi mungesë të informacionit për Asociacionin dhe planin franko-gjerman. Në takimin Kurti-Vuçiq janë disa pika që patjetër do të diskutohen sepse nëse e ke marrë planin franko-gjerman dhe ke një takim menjëherë pas pranimit, atëherë do të flitet për zbatimin e këtij plani. Edhe pse jemi në terr informativ, në këtë takim do të flitet për planin e zbatimit franko-gjerman”, tha Musliu-Shoshi për GazetaBlic.


