Lajme

“ShBa dhe BE kanë hequr dorë nga marrëveshja me njohje në qendër, tani synojnë vetëm stabilitetin”

02/12/2023 08:58
nga:Genita C

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, tha se tanimë është hequr dorë nga politika e mëhershme e BE-së dhe ShBA-së për një marrëveshje që ka njohjen në qendër.

Ai ka thënë se edhe insistimi i ndërkombëtarëve për ta pranuar planin franko-gjerman, ka ardhur si pasojë e dështimit të dialogut dhe rrezikut për eskalim të situatës në Ballkan.

“Plani franko-gjerman ka ardhur si pasojë e një procesi të vështirë dhe të dështuar të negociatave në Bruksel. Është tentuar deri tash që nga viti 2011 e këndej të gjendet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me idenë themelore që të kishte njohjen e Kosovës nga Serbia, por i gjithë ai proces ka dështuar tashmë, edhe në sfondin e luftës që po ndodh në Ukrainë edhe të rrezikut për destabilizim të madh të Ballkanit”.

“Tashmë kjo iniciativa franko-gjermane insiston që të arrihet një marrëveshje e cila synim të parë e ka deeskalimin e situatës dhe pastaj krijimin e një paqeje që përjashton influencën ruse. Pra, insistohet një marrëveshje pa njohje, kjo do të thotë që është hequr dorë nga politika e mëhershme e Shteteve të Bashkuara që insistonin që njohja të ishte në qendër të marrëveshjes”, ka thënë ai, për EO.