Mercenarët nga grupi famëkeq Wagner i Rusisë po punojnë me paraushtarakët serbë për të kontrabanduar armë dhe uniforma ushtarake të pashënuara në Kosovë, paralajmëroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Operacioni sekret është krijuar për të hapur rrugën për një sulm të mundshëm hibrid nga Serbia për të rrëmbyer territorin e Kosovës, pohoi Osmani në një intervistë për gazetën britanike, The Telegraph, përcjellë GazetaBlic.
Përgatitjet nga Serbia kanë paralele me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur ushtarët rusë të veshur me uniforma të zhveshur nga çdo shenjë, të quajtur “burrat e vegjël të gjelbër”, përgatitën rrugën për shkëputjen e gadishullit nga Moska.
“Ata po sjellin armë dhe uniforma por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saj pa u quajtur operacion ushtarak”, tha Osmani.
Objektivi serb është të “përgatisë situata për një aneksim të mundshëm – jo përmes një operacioni ushtarak tradicional, por përmes një lloj sulmi hibrid”, tha Presidentja Osmani.
Osmani pohoi se Beogradi po vazhdon të ngjallë tensionet në rajon, në bashkëpunim me Wagner Group të Rusisë, i cili kohët e fundit filloi reklamat për rekrutët serbë për luftën në Ukrainë.
Strategjia e fshehtë për të kontrabanduar armët për një aneksim të dyshuar është duke u zhvilluar për të paktën gjashtë muaj, tha Osmani. Synimi është “pikërisht” i njëjtë me atë të përdorur nga Vladimir Putin në Krime nëntë vjet më parë, pohoi ajo.
“Nëse shikoni se çfarë bëri Putini në 2014. Fillimisht ai instrumentalizoi rusët që jetonin atje, më pas krijonte lloj-lloj operacionesh me flamur të rremë dhe më pas dërgoi këto grupe paraushtarake.
“Ka prova të qarta se grupet paramilitare serbe e kanë planifikuar dhe organizuar këtë (me ndihmën e Wagner). Sa ishin në kufi apo brenda (territorit të Kosovës), kjo është një çështje që ende po hetohet.”
“Synimet e tyre ishin qartazi agresive, tha ajo. “Ata ndërtojnë llogore dhe barrikada të stilit ushtarak. Lloji që mund të përdornin për të luftuar”, tha Osmani.
Serbia ka mohuar që mercenarët e grupit Wagner të kenë pasur ndonjë rol në përplasjen me Kosovën.
Shumë ekspertë të Ballkanit janë skeptikë se Serbia do të guxonte të përpiqej të aneksonte veriun e Kosovës, sepse do t’i sillte ata në një konfrontim me KFOR-in e udhëhequr nga NATO ose Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Për sa kohë që KFOR-i është i stacionuar në Kosovë, nuk mendoj se Serbia do të ndërmarrë veprime ushtarake,” tha Helena Ivanov, një eksperte e Ballkanit me qendër në Beograd me think tank-in e Shoqërisë Henry Jackson.
“Serbia nuk do të hyjë në luftë me NATO-n. E bëri këtë një herë dhe humbi. Nuk do ta bëjë më. Prania e KFOR-it është një pengesë për të dyja palët, që të mos përshkallëzohet”, shtoi ajo.
Por presidentja Osmani kujtoi skepticizmin e përhapur mes liderëve botërorë në fillim të shkurtit të kaluar, kur dukej se Rusia mund të pushtonte Ukrainën.
“Dy ose tre ditë para pushtimit të Ukrainës, po dëgjoja kaq shumë liderë botërorë që thoshin ‘Putini nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë këtë’. Ne e dëgjojmë këtë tani për Vuçiqin, “ai nuk është aq budalla, ai nuk do ta bëjë atë””, tha Osmani.
Vetëm për shkak se KFOR-i është në Kosovë “nuk do të thotë se Vuçiq nuk do ta bënte kurrë këtë. Nuk po them se do ta bëjë, por ne gjithmonë duhet të jemi gati për të parandaluar një skenar të tillë”, tha ajo.


