“Sot ishte një bisedë e vështirë, ndoshta më e vështira që patëm”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit me “pesëshen” ndërkombëtare, të udhëhequr nga i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç tha Vuçiq, “ajo për të cilën ne biem dakord është se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje, dhe kur keni një konflikt të ngrirë, është çështja kur dikush do ta shkrijë atë dhe kur individë të papërgjegjshëm do të shembin paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. “.
Vuçiq tha se si president i Republikës së Serbisë “është përballur pa mëdyshje me problemet dhe sfidat që do t’i viheshin vendit tonë nëse nuk do të pajtoheshim me planin e propozuar”.
Ai ka thënë se kanë kërkuar nga përfaqësuesit e atyre vendeve që të ndihmojnë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, “i cili jo vetëm që është premtuar por edhe është nënshkruar dhjetë vjet më parë, dhe pas kësaj mund të bisedohet për kthimin e mundshëm të serbëve në institucionet e Kosovës”.
“Ne jemi të gatshëm ta pranojmë konceptin dhe të punojmë në zbatimin e tij në kushte të caktuara, por nuk mund të flas për këtë sepse propozimi nuk është publik”, tha Vuçiq.
Presidenti serb theksoi se “nuk kemi ditë të lehta përpara”.
“Njerëzit duhet ta dinë se këtu nuk ka as biseda të bukura dhe as të ëmbla. E vetmja gjë që mund të them është se kam bërë maksimumin për të mbrojturSerbinë, gjë që do të vazhdoj ta bëj për të paktën një kohë. Faleminderit”, përfundoi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë njoftoi se në ditët dhe javët në vijim do të zhvillojë konsultime me anëtarët e Qeverisë dhe Kuvendit për propozimet që janë diskutuar sot.
Përveç Lajçakut dhe Escobarit, në delegacionin ndërkombëtar ishin edhe këshilltari për politikën e jashtme dhe sigurinë i kancelarit gjerman Jens Plettner, këshilltarn për politikë të jashtme i presidentit francez Emmanuel Bonn dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i kryeministrit italian, Francesco Talo.


