Andi Alushin 27 vjeç dhe lituanezi Valdemaras Kasinskas 39 vjeç kishin marrë peng në Angli dy shqiptarë.
Dy të pandehurit janë dënuar në Angli me nga 19 vjet e 6 muaj burgim më 3 Janar 2023 nga Gjykata e Kurorës në Shefielld.
Ngjarja ka ndodhur më 14 Maj 2022, ku në një banesë në Sheffield të Britanisë u gjetën të lidhur me zinxhirë te radiatorët në dhoma gjumi të veçanta shtetasit shqiptarë E. R. dhe O. L.
Menjëherë pas kësaj u bë arrestimi i 27 vjeçarit shqiptar dhe 39 vjeçarit lituanez.
Hanin si qentë
Mediat britanike shkruajnë se të rrëmbyerit janë gjetur në dhoma gjumi të veçanta në katin e dytë të banesës, ndërsa pranë tyre ishin tasa bosh të ngjashme me ato ku ushqehen qentë. Dy shqiptarët e rrëmbyer detyroheshin të hanin aty pasi ishin lënë pa ngrënë për ditë të tëra. Ata madje janë filmuar duke ngrënë në këto tasa gjatë 10 ditëve të marrë peng.
Gjithashtu njëri prej viktimave kishte djegie të rënda në dorë, pasi ishte sulmuar dhe përvëluar.
Kryeinspektori i policisë Mark Oughton, i cili drejtoi hetimin, tha: “Ajo që oficerët gjetën brenda asaj shtëpie ishte thellësisht shqetësuese, prova e qartë se dy persona ishin mbajtur të burgosur dhe i ishin nënshtruar një trajtimi absolutisht barbar. Tortura është e vetmja fjalë për të përshkruar atë që Kasinskas dhe Alushi i bënë njërës prej viktimave, duke e rrahur me dhunë dhe duke e djegur me ujë përvëlues, duke i shkaktuar lëndime të konsiderueshme djegieje.
Para në këmbim të lirimit
Pengmarrësit bënin me faj dy shqiptarët për zbulimin e shtëpisë me kanabis dhe kërkonin nga familjet e tyre në Shqipëri para për lirimin e dy pengjeve.
Ata kishin filmuar viktimat duke duruar trajtimin poshtërues dhe degradues me qëllim që të shantazhonin familjet e tyre në Shqipëri
“Kur u përballën me dëshminë e viktimave, provat mjeko-ligjore, provat telefonike dhe dixhitale, kjo dyshe kriminale nuk kishte asnjë alternativë veçse të pranonte fajësinë një javë përpara se të fillonte gjyqi”, tha polici për median britanike
Gjithçka u zbulua në momentin kur lituanezi i tregoi një lituanezi videot në celular ku viktimat hanin në tasat e qenve e kërcenin ndërsa një burrë me hanxhar në dorë i shikonte. Lituanezi i shokuar me pamjet e videove bëri denoncimin në polici.


