Lajme

Zëvendësministri Syla: Viti 2022 ishte i FSK-së, i realizuam të gjitha planifikimet

01/01/2023 09:58
nga:Genita C

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, vlerëson se viti që lamë pas ishte vit i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, FSK-ja ka realizuar të gjitha aktivitetet, detyrat, masat dhe veprimet e planifikuara për vitin 2022 në shkallen e kënaqshme të planifikimit, dhe, sipas tij, të arriturat janë të shumta në të gjitha drejtimet.

Në një intervistë  numri dy i mbrojtjes në Kosovë, tha se më 2022 FSK-së i janë bashkuar 840 ushtarë të rinj dhe se për 2023 kanë shpallur konkursin edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 388 pjesëtarë të komponentës rezervë.

Mes tjerash, Syla ekskluzivisht ka dhënë detaje për ushtrimin më të madh fushor në rajonin e Ballkanit “Defender-Europe’23”, ku Kosova është nikoqire, ushtrim të cilin e quan “ngjarje historike jo vetëm për forcat tona, por për gjithë vendin”.

“Jemi në përgatitje të pandërprerë në të gjitha nivelet e FSK-së për pjesëmarrje sa më dinjitoze dhe profesionale me rreth 1,300 trupa tanë në stërvitjen me të madhe të forcave amerikane me aleatë në Evropë, ‘Defender-Europe’23’. Gjithashtu, me këtë rast, Republika e Kosovës, do të ketë edhe statusin e vendit pritës”.

“Në këtë stërvitje do të validohet edhe një regjiment me njësi të tjera të specializuara që e mbështesin në stërvitje. Kjo padyshim është ngjarje historike jo vetëm për forcat tona por edhe për gjithë vendin”, tha Syla për KlanKosovën.