Lajme

Kërcënimi me bombë në Aeroport, eksperti i sigurisë: Të hetohet nëse lidhet me situatën në veri

12/28/2022 15:19
nga:G B

Një kërcënim me bombë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë alarmoi sot institucionet e sigurisë.

Qytetarët dhe personeli i aeroportit u evakuuan, derisa njësiti i deminimit shkoi për të gjetur bombë dhe aeroporti u mbyll përkohësisht.

Por, alarmi për bombë doli të jetë i rrejshëm, derisa Policia nuk gjeti mjet shpërthyes në aeroport.

“Pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit, andaj i falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar me institucionet e Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për Gazeta Blic thotë se kjo mund të është bërë nga individë apo grupe që kanë për qëllim mbjelljen e frikës në përdorimin dhe shfrytëzimin e vendeve publike.

“Edhe ky kërcënim që i është bërë sigurisë së përgjithshme, nëse analizohet me rastet të tjera që janë shfaqur përgjatë këtij viti shihet se mbrapa tyre mund të qëndrojnë individë/grupe të cilat kanë të vetmin qëllim dhe që është mbjellja e frikës në përdorimin dhe shfrytëzimin e vendeve publike”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Shala thekson se “institucionet e sigurisë kanë marrë të gjitha masat adekuate sa i përket këtij por edhe rasteve të tjera që kanë ndodhur më herët”.

Sipas tij, prokuroria duhet të hetojë se si ka ardhur informacioni dhe se a ka lidhje me situatën në veri.

“Por tani është punë edhe e strukturave tjera të sigurisë dhe prokuroria të analizojë njëra dhe tjetra të udhëheq hetimet se në çfarë forme ka ardhur informacioni, a ka ndonjë lidhje me zhvillimet e fundit në vend që po ndodhin etj. Sepse rast të tilla mund të na paraqiten si lajmërime të rrejshme por që institucionet kanë kryer punën në përpikëri”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/