Lajme

“Marrëveshja e targave, marrëveshje dorëzimi/ Asociacioni nuk duhet të plotësohet si kusht për kthimin e serbëve në institucione”

11/24/2022 11:50
nga:Y I

Pas largimit të “Listës Serbe” nga institucionet edhe gjyqëtarët, prokurorët, kryetarët e komunave, pjesëtarët e Policisë dhanë dorëheqjen në Veri.

Ata si kusht për kthimin në institucione vendosën tërheqjen e vendimit për rigjestrimin e automjeteve dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Dje në Bruksel u arrit marrëveshje për targat, a pritet ata të kthehen në institucione apo do të vendosin si kusht Asocicionin?

Profesori universitar nga Mitrovica Nexhmedin Spahiu duke folur për “Gazeta Blic” në lidhje me këtë çështje tha se ata për t’u kthyer në institucione mund ta vendosin si kusht edhe Asociacionin por një kusht i tillë nuk do të duhej të plotësohej.

Spahiu tha se Asociacioni duhet të jetë monedhë për njohje dhe jo për kthimin e serbëve në institucione.

“Serbët në Veri për t’u kthyer në institucione mund të vendosin kusht edhe formimin e Asociacionit por nuk do të duhej të plotësohej ai kusht. Asociacioni duhet me qenë monedhë për njohje dhe jo për kthimin e serbëve në institucione”

“Nuk e di se si do veprojnë sepse ka veprime të cilat nuk janë konsistente psh. marrëveshja për targat nuk ishte ndonjë marrëveshje që na jep të qartë me dit se a e ka Kosova tani regjistrin e atyre makinave të regjistruara apo thjesht është thënë sa për me u shty edhe një vit kohë. Nëse e merr regjistrin nga Serbia ne kemi një garanci që brenda një viti kryhet ky problem sepse ne e dimë që nesër se cilës makinë i skadon afati a po regjistrohet pra e dimë çfarë bëhet me të. Me kohë është dashur të kryhet puna e targave në bazë të marrëveshjeve që ka ba Edita Tahiri dhe të tjerët por që nuk kanë qenë të vëmendshëm kur i kanë ba marrëveshjet. Marrëveshjen që ka nënshkru Besnik Bislimi është nënshkru edhe më parë nga Edita Tahiri dhe nuk është realizu dhe kjo nuk do të thotë që kjo realizohet nese nuk ka një model të qartë se si po shkon ecuria. Kjo marrëveshje që është nëshkruar është marrëveshje dorëzimi nga ana e Kosovës” tha Spahiu për “Gazeta Blic”

Pas shumë tentativash dje në Bruksel u arrit marrëveshja për targat.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dha dje detaje për marrëveshjen e arritur në Bruksel mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Borrell, nëpërmjet një njoftimi, ka thënë se sipas marrëveshjes së arritur Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela me denominime të qyteteve të Kosovës, ndërkaq Kosova do të pushojë së ndërmarruri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave.

“Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela të regjistrimit me denominime të qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndalojë së ndërmarruri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave”, ka shkruar Borrell raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

LAJMI I FUNDIT: Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Bruksel

Borrell jep detaje, kjo është ujdia: Serbia nuk lëshon targa ilegale, Kosova nuk i zbaton gjobat